UP shtrëngon rregullat kundër nepotizmit në përzgjedhjen e stafit akademik

Prishtinë | 08 Maj 2018 | 11:19 | Nga

Këshilli i Etikës të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ më 2 maj ka miratuar një udhëzues për standarde në përpjekje për ta shmangur nepotizmin dhe konfliktin e interesit në procedurat e zgjedhjes së stafit akademik.

Ky vendim erdhi pas rekomandimeve të dala nga Institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me krijimin e një legjislacioni kundër nepotizmit dhe konfliktit të interesit në përzgjedhjen e stafit akademik.

Standardet e përcaktuara me këtë udhëzues parashohin edhe zgjerimin e rrjetit të personave që konsiderohen familjarë në mënyrë që të përcaktohen rastet kur personeli i universitetit ka konflikt interesi me aplikantë për të qenë staf akademik.

Sipas pikës 11 së këtij udhëzuesi ‘marrëdhënie familjare dhe afërsie konsiderohen personat që me personelin akademik të rregullt apo të angazhuar janë në marrëdhënie si: prind, fëmijë, vëlla, motër, bashkëshortët, njerk/ë, thjeshtër, gjysh/e, nip/ mbes, kunetër, vjehërr- dhëndër, nuse, vëlla/motër nga njerka- njerku, marrëdhënia bashkëjetësore, marrëdhënie e partnerëve jashtë martesorë, ish-bashkëshortët [dajë/ teze/xhaxha/ hallë]- [nip/mbesë], kushërinjtë dhe marrëdhënia e miqve të ngushtë.

Megjithatë parandalimi i nepotizmit nuk lidhet vetëm me këtë listë pasi u është lënë në dorë stafit akademik sipas lidhjes logjike që të vendoset për parandalim edhe nëse marrëdhënia nuk është paraqitur në listën e mësipërme.

Sipas këtij udhëzuesi, stafi akademik është i detyruar të deklarojë me shkrim nëse janë të angazhuar me ndonjë proces rekrutimi që mund t’i sjellë dobi ndonjë të afërmi.

“Anëtarëve të stafit të universitetit duhet t’u ndalohet jo vetëm që të marrin pjesë si anëtarë të këshillit vlerësues kur ndonjë i afërm i vet është kandidat për punësim, por duhet t’u ndalohet edhe që të marrin pjesë në çfarëdo lloj procesi tjetër që mund t’i sjellë ndonjë dobi të afërmit të vet, duke përfshirë (por duke mos u kufizuar në ) proceset e punësimit, të ardhurave dhe rritjes së të ardhurave, ngritjes së pozitës dhe detyrave të punës”, thuhet në udhëzues.

Në rast të mos deklarimit të konfliktit të interesit parashihen masa ndëshkuese ndaj stafit akademik.

Miratimi i udhëzuesit u vlerësua lart nga Avokati i Popullit dhe i njëjti bëri thirrje që edhe institucionet tjera të ndjekin shembullin e njëjtë.

“Avokati i Popullit vlerëson lartë aprovimin nga Universiteti i Prishtinës të Udhëzuesit për Standardet dhe Parimet Etike të Universitetit të Prishtinës në lidhje me shmangien e nepotizmit dhe parandalimin e konfliktit të interesit në procedurat e zgjedhjes së personelit akademik.Gjithashtu, bën thirrje edhe institucioneve tjera publike të arsimit të lartë që duke ndjekur shembullin e Universitetit të Prishtinës, të marrin masa për parandalimin dhe luftimin e fenomenit të nepotizmit në procedurat e zgjedhjes së personelit akademik”, thuhej në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Të ngjashme