Rreth 200 lloje të barnave të listës esenciale të cilat për pacientët është e obliguar t’i blejë Ministria e Shëndetësisë, nga viti 2015 pësuan rritje të çmimeve nga 100 deri në 2000 për qind, shkruan sot Koha Ditore.
Nga të njëjtat kompani, e me sasi të njëjta në vitet 2016 dhe 2017, ato janë pagur shumëfish më shtrenjtë. Ministria e Shëndetësisë në këta dy vjet asnjëherë nuk ka arritur t’i furnizojë institucionet shëndetësore me të gjitha produktet që janë pjesë e listës esenciale. Edhe tani shumë produkte të kësaj liste mungojnë, ndonëse buxheti i barnave për këtë vit është rritur për 8 milionë euro.
Një hulumtim i Institutit Columbus, i cili është prezantuar të martën, ka treguar se si dy vjetët e shkuar miliona euro të dedikuara për barna nuk i kanë mjaftuar Ministrisë së Shëndetësisë që të përmbushë asnjëherë furnizimin e rregullt dhe të plotë nga lista esenciale.