Shtrenjtohen kafetë brenda ditës në Prishtinë, AKK-ja nis hetimet

Prishtinë | 06 Qer 2019 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Prishtina njihet për kafe baret e shumta. Frekuentuesit e tyre gjatë ditës kryesisht konsumojnë makiato.

Të gjitha kafe baret që ndodhen në qendër të Prishtinës në rrugën “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” i kanë shtrenjtuar makiatot e vogla. Nga 0.70 cent aq sa ka qenë, çmimi është ngritur në 1 euro. Çmimi është ngritur brenda ditës në të gjitha kafeterit përnjëherë. Ndërkohë, makiato e madhe vazhdon të ketë të njëjtin çmim prej 1 euro. Makiatot janë shtrenjtuar edhe në disa zona tjera të Prishtinës.

Disa pronarë të lokaleve thanë për lajmi.net se kështu janë marrë vesh me Shoqatën e Gastronomeve të Kosovës. Kontakti me këtë shoqatë ka qenë i pa mundur gjatë ditës së sotme. Lidhja e marrëveshjeve që të fiksohet çmimi në mes të ndërmarrjeve të së njëjtës konkurrencë (ndërmjet prodhuesve ose grosistëve) që veprojnë në të njëjtin nivel ekonomik është e sanksionuar me Ligjin mbi Konkurrencën.

Lajmi.net ka marr një përgjigje nga shefi i anti kartelës në kuadër të Agjencisë Kosovare të Konkurrencës, Selajdin Beqa. Ai e ka konfirmuar që drejtorati që ai e drejton ka nisur një hetim për këtë punë.

“Jemi duke e shikuar këtë punë. Jemi duke e monitoruar tregun”, ka thënë shkurt Beqa, pa dashur të komentojë më tej.

Nëse një gjë e tillë konfirmohet nga AKK-ja. Pra, nëse ka pasur marrëveshje në mes të pronarëve për ngritje të çmimit, atëherë kjo është e kundërligjshme, pasi bëhet fjalë për marrëveshje kartel.

Ligji nr. 03 /L-229 për mbrojtjen e Konkurrencës neni 4 “Marrëveshjet e ndaluara”, thotë se “Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marrura në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që: caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme