Shtyhet fillimi i gjykimit në çështjen Januzi dhe të tjerët

Prishtinë | 12 Nën 2024 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Dhomat e Specializuar kanë njoftuar se pas kërkesës së palëve, seancat e planifikuara më 14 dhe 15 nëntor në gjykimin e Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës nuk do të mbahen.

Të akuzuarit akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale. Konkretisht, në Aktakuzë pretendohet se midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, të udhëzuar nga Shala, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me një dëshmitar në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë dhe premtimit për dhuratë, apo për ndonjë formë tjetër përfitimi.

Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan më 5 tetor 2023 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023. Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023, si z. Januzi dhe z. Bahtijari u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e Aktakuzës.

Haxhi Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023 në Kosovë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 12 dhjetor 2023. Në paraqitjen e tij të parë më 13 dhjetor 2023, Shala nuk u deklarua në lidhje me fajësinë ose pafajësinë. Në paraqitjen e mëtejshme më 15 dhjetor 2023, ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Më 13 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi kërkesë për bashkimin e çështjes kundër z. Januzi dhe z. Bahtijari me çështjen kundër z. Shala. Më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për bashkimin e dy çështjeve gjyqësore.

Pas ndryshimit të njërës prej akuzave për z. Januzi dhe z. Bahtijari më 8 korrik 2024, paraqitja e mëtejshme e z. Januzi dhe z. Bahtijari u mbajt më 12 korrik 2024, gjatë së cilës të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën e re ndaj tyre në aktakuzën e përbashkët të ndryshuar.

Më 16 shkurt 2024, ZPS-ja dorëzoi dosjen e vet paraprake, ndërsa versionet më të fundit të dosjeve paraprake të tri ekipeve të Mbrojtjes u dorëzuan më 2 shtator 202.

Të ngjashme