Shtyhet konkursi për drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës me 11 kandidatë në garë

Prishtinë | 19 Kor 2019 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Prishtinë, 19 korrik – Janë 11 kandidatë që ia kanë mësyrë garës për ta udhëhequr Muzeun Kombëtar të Kosovës. Por këtij numri mund t’i shtohen edhe të tjerë, pasi afati i konkursit publik që ishte mbyllur në ditën e 11-të të këtij muaji, është zgjatur edhe për një javë.

Sipas listës që posedon gazeta, konkursit që është hapur pas dështimit të atij të brendshëm, ia kanë mësyrë: Izet Miftari, Ajet Leci, Sadik Krasniqi, Arsim Mehmeti, Sedat Sahitaj, Naim Çekaj, Bekim Vishaj, Bekim Gashi, Arben Arifi, Fatmir Hoxha e Ismet Mulaj.

Konkursi që ishte hapur më 27 qershor është dashur që të mbetet i hapur për një javë më shumë shkaku i mosplotësimit të disa kushteve ligjore.

“Afati i konkurrimit është shtyrë edhe për një javë pasi nuk është plotësuar kriteri etnik dhe ai gjinor”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi.

Paraprakisht Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë që ta bëjë me drejtor Muzeun Kombëtar të Kosovës nëpërmjet një konkursi të brendshëm pasi, sipas këtij institucioni, nuk i kishin plotësuar kushtet e së paku tre kandidatëve nga katër sa kishin konkurruar . Muzeu është pa drejtor që nga korriku i vitit të kaluar.Koha.Net


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme