Është shtyrë gjykimi i Enver Hoxhës, zyrtarit të KEK-ut që akuzohet se dëmtoi korporatën në lidhje me një tender.
Enver Hoxhës, zyrtarit të KEK-ut të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare do t’i duhet që përsëri të paraqitet në Gjykatën Themelore të Prishtinës në shtator, pasi që gjykimi ndaj tij u shty.
Shtyrjen nga gjyqtari Hamdi Ibrahimi e kërkoi përfaqësuesi i palës së dëmtuar- KEK-ut me arsyetimin se nuk ishte familjarizuar me rastin.
Me këtë propozim të palës së dëmtuar u pajtua edhe prokurorja Habibe Statovci-Salihu,
Sipas aktakuzës, në pozitën e projekt-menaxherit të Divizionit për Prodhimin e Qymyrit në KEK, më 19 qershor 2013, me qëllim të përfitimit për vete ose persona të tjerë, Enver Hoxha ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar në atë mënyrë që ka lejuar blerjen e 2,464 maicave nga “OE Ripten Enginnering” nga Prishtina.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Enver Hoxha nuk e ka përfillur procedurën e paraparë sipas Ligjit për Prokurimin Publik, duke vepruar në kundërshtim me kontratën 4710 16.07.2011 për llot -1 në të cilën është thirrur.
Vlera e dëmit që i ka shkaktuar i akuzuari KEK-ut, sipas aktakuzës, është 57 mijë euro.(Kallxo.com)