Shtyhet për një mbledhje tjetër rasti i Enver Hasanit, rektori do të kërkojë “sqarime shtesë” nga APK

Prishtinë | 23 Dhj 2024 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu paralajmëroi se do të kërkojë “sqarime shtesë” nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Në mbledhjen e sotme të Senatit të UP-së u shtye për një mbledhje tjetër trajtimi i çështjes së profesorit të Fakultetit Juridik, Enver Hasani.

Këshilli i Etikës i kishte rekomanduar Senatit të UP-së marrjen e disa masave ndaj Hasanit, si ulje të gradës akademike nga profesor i rregullt në profesor të asociuar e revokimin e disa titujve akademikë. Por Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit konstatoi së fundmi se pjesëmarrja e kryesuesit të Këshillit të Etikës, Iset Morina në procesin disiplinor ndaj profesorit dhe votimi për mospërjashtimin e vetes nga ai proces përbën konflikt interesi.

Tani që ka një Këshill të ri të Etikës, rektori Hajrullahu tha se kjo pikë do të shtyhet “për njërën nga mbledhjet e radhës” të Senatit.

Disa senatorë e morën fjalën në fillim të kësaj mbledhjeje dhe thanë se nuk i takon Senatit të merret në këtë punë tash, dhe se ajo pikë “nuk është dashur të jetë fare në rend dite”.

“Po trajtojmë diçka që nuk e di a kemi të drejtë ligjore me e trajtu”, tha njëri nga senatorët.

Rektori Hajrullahu e akuzoi profesorin Hasani për “inskenim të situatave, obstruksione, pengim të drejtësisë” dhe i tha atij që “të përmbahet nga tentimi i frikësimit të pjesëtarëve të UP-së, senatit”.

Kërcënime, Hajrullahu i quajti paralajmërimet e profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare për kallëzime penale.

“Rekomandoj që kjo pikë të shtyhet për ndonjë mbledhje të radhës. Se ne nuk e dimë tash, duhet me kërku sqarime shtesë e me e sqaru mirë në bazë të fakteve, meqenëse kërkohen sqarime shtesë nga APK edhe për opinionin brenda afateve para se të ndodhë vendimmarrja në Senat. Ne një ditë duhet të marrim vendim, por vendimet tona duhet të jenë vendime të informuara. Nuk mund ne të marrim vendim në bazë të hamendësimeve apo parashikimeve çfarëdoqofshin ato të fallit apo profetike”, tha Hajrullahu.

Rektori tha se “çdo opinion i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit do të procedohet nga UP-ja, pa përjashtim, pavarësisht se kush është subjekt i shqyrtimit në atë opinion”.

“Në momentin kur ta kemi dosjen e Agjencionit për Parandalimin e Korrupsionit si dhe të gjitha faktet, atëherë, siç po thotë opinioni i tanishëm, ne duhet të vendosim dhe rastin ta rikthejmë në Këshillin e ri të Etikës për shqyrtim”, tha Hajrullahu.

Atij iu kërkua nga njëri prej senatorëve që këtë rast ta denoncojë në Prokurori.

Këtë senator, Hajrullahu e quajti “zëdhënës”, cilësim të cilin më pas e tërhoqi.

“Ne nuk duhet dhe nuk mundemi që përgjegjësitë tona si pjesë e këtij komuniteti akademik që vetëm t’i përcjellim në Prokurori. Prokuroria i ka punët e veta, Këshilli i ka punët e veta, Senati i ka punët e veta”, tha Hajrullau.

Kësisoj, kjo çështje u shty “për ndonjërën nga mbledhjet e radhës”, në mënyrë që Senati, siç tha rektori, të marrë “vendime të mirëinformuara”.

Kryetarja e Parlamentit Studentor të UP-së, Blerta Zeqiraj, reagoi lidhur me akuzat e rektorit për frikësim e kërcënim.

“Ne nuk i frikësohemi askujt dhe nuk viktimizohemi”, tha ajo.

Të ngjashme