Është shtyrë seanca e rigjykimit për padinë e Mimoza Kusari-Lilës e ushtruar ndaj Ardian Gjinit për shpifje dhe fyerje.
Kërkesën për shtyrje të seancës është bërë në Gjykatën Themelore në Gjakovë nga përfaqësuesi i paditëses Kusari-Lila, avokatit Egzon Doli.
Padia është ushtruar më 13 nëntor 2017, ku paditësja Mimoza Kusari-Lila përmes padisë ka kërkuar kompensimin e dëmit moral për shpifje dhe fyerje ndaj të paditurit Ardian Gjini. Objekt i padisë janë deklarimet e kryetarit të Komunës së Gjakovës në kohën e fushatë elektorale komunale, ku në garë ishte edhe Kusari-Lila, aktualisht deputete në grupin parlamentar të Vetëvendosjes.
Lidhur me këtë rast, i autorizuari i paditëses, avokat Egzon Doli, kishte paraqitur parashtresën përmes së cilës e ka njoftuar gjykatën se do të përfaqësojë paditësen në këtë çështje kontestimore, poashtu i ka bashkëngjitur kërkesën për shtyrje me arsyetimin se i njëjti gjendet në udhëtim jashtë shtetit, të njëjtës ia ka bashkëngjitur edhe biletën e udhëtimit, si provë për të mbështetur kërkesën e tij.
Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurit Gjini, avokati Meshari Selimaj, tha se një kërkesë e tillë për shtyerje është parashtruar në afatin ligjor dhe se mbi këtë bazë nuk e kundërshtoi shtyerjen e seancës së sotme.
Ndryshe, prezent në këtë seancë nuk ishin as Mimoza Kusari-Lila dhe i padituri Ardian Gjini.
Në padi thuhet se, i padituri Gjini më 2 tetor 2017 në emisionin “Magazina Lokale” në Klan Kosova kishte deklaruar duke aluduar se “znj. Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë vetes leje 23 metra larg kullës “Sylejman Vokshi”, duke i futur kështu në borxh qytetarët e Gjakovës”.
Po ashtu në padi thuhet se i padituri Gjini dhe më 24 tetor 2017 në emisionin “Rubikon” në KTV, i ka dhënë këto deklarata: “znj.Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë tenderë bizneseve në të cilat është partner bashkëshorti, në këtë rast z.Arben Lila, duke shtuar këtu se nuk ka lënë gjë pa bërë për interesa personale.” Ka theksuar se bashkëshorti, pra “Arben Lila është partner në Fiberlink dhe në një diskotekë”.
Në padi thuhet po ashtu se në emisionin e njëjtë “Magazina Lokale” në Klan Kosova i padituri Gjini ka deklaruar se: “kryetarja e komunës, znj.Mimoza Kusari Lila ka shpronësuar tokat afër kullës “Sylejman Vokshi” për interesa personale dhe kësi soji ka zhvatur buxhetin e Komunës së Gjakovës për interes personal”.
Sipas padisë, pretendimet e të paditurit nuk qëndrojnë në asnjë rrethanë dhe në këtë rast bashkëshorti i paditëses Kusari-Lila, Arben Lila, nuk është as partner, as pronarë i “Fiberlink”-ut, e në fakt i asnjë nga bizneset të cilët kanë fituar tenderë në Komunën e Gjakovës.
Po ashtu në padi thuhet se paditësja Kusari-Lila nuk ka pasur asnjë interes personal në shpronësimin e tokave për-rreth kullës “Sylejman Vokshi”, marrë parasysh se plani urbanistik për këtë pjesë është draftuar shumë kohë para se Kusari-Lila, t’i shërbej qytetarëve të Gjakovës.
Në padi kërkohet që i padituri të detyrohet që paditëses në emër të kompensimit të dëmit moral të ia kompensojë shumën prej 9 mijë 500 euro, me kamatë ligjore prej 8%, si dhe urdhërohet që i padituri t’i bëjë kërkim-falje publike lidhur me shpifjet që i ka bërë i padituri dhe t’i demantoi ato në tërësi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë më 10 qershor 2019 kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditëses Mimoza Kusari-Lila, ndërsa, Gjykata e Apelit lëndën e kishte kthyer në rigjykim, duke aprovuar si të bazuar ankesën e përfaqësuesit të të paditurit, duke prishur aktgjykimin e Themelores me arsyetimin se qëndrimi juridik i shkallës së parë është i gabuar.