Seanca fillestare në Gjykatën Themelorë në Prishtinë për të akuzuarit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, që ngarkohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, është shtyrë të martën, me kërkesë të mbrojtjes.
Avokati i të akuzuarit Nexhat Vllasaliu, Shemsedin Piraj dhe avokatja e të akuzuarit Jeton Vllasaliu, Alberina Foniqi, kërkuan që seanca të shtyhet për një datë tjetër, derisa të pajisen me të gjitha shkresat e lëndës, raportoi “Betimi për Drejtësi“.
Propozimi nuk u kundërshtua nga prokurori Armend Hamiti e as nga mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha.
Pas kësaj, gjykatësja Medie Bytyqi, seancën e shtyu për 14 nëntor 2022.
Gjykatësja tha se obligohet prokurori që në afat prej 8 ditësh t’i pajisë palët me të gjitha shkresat e lëndës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Në aktakuzë thuhet se prej datës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore. /BpD