Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis ka shtyrë shqyrtimin e Raportit vjetor nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës për vitin 2019, raporton Ekonomia Online.
Po ashtu ky komision i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që ish-Burgu i Prishtinës të shpallet muze.
Anëtarët e këtij komisioni kanë planifikuar edhe një vizitë për të mërkurën në disa zona të vendit të vendit që u dëmtuan nga reshjet e shiut në fillim të javës.
Diskutimi mbi raportin u shtyre për në një mbledhje tjetër për shkak të dyshimeve të deputetëve mbi raportin dhe se ky raport nuk ishte miratuar fillimisht nga Bordi i Autoritetit.
Me këtë rast Arianit Islami, ushtrues i detyrës së drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës ka folur për historikun e themelimit të këtij autoriteti.
Islami ka theksuar se Autoriteti i Aviacionit Civil është themeluar në vitin 2008.
“Misioni jonë është që të sigurohemi që siguria në operimet që ndodhin të jenë të niveli të parë dhe me standarde ndërkombëtare, dhe si pikë referente të jenë shtetet e zhvilluara. Gjatë vitit të kaluar ne kemi vazhduar me punën tonë. Ne kemi bërë një sërë ligjesh si dhe kemi vazhduar me mbikëqyrjen e operatorëve tanë si dhe mbikëqyrja e operatorit të aeroporteve si dhe certfikimin mjekësor të stafit dhe kontrollorëve”, tha ai.
Islami ka treguar se Aeroplanët që aterojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës e kanë hyrjen nga Maqedonia e Veriut.
“Aeroplanët që vijnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës e kanë hyrjen nga Maqedonia e Veriut. Ne kemi punuar që të gjejmë një zgjidhje që të bëhet hapja e korridorit 360 shkallë”, tha Islami.
Ai ka kërkuar ndihmën e Kuvendit për reforma, që janë si obligime karshi organizatave ndërkombëtare.
“Marrja e stafit të ri është problem. Po ashtu sfidë është edhe reforma e administratës publike dhe ne si autoritet kemi obligime karshi organizatave ndërkombëtare. Përmbushja e këtyre obligimeve na paraqet problem dhe kërkojmë ndihmën e juaj”, shtoi ai, raporton Ekonomia Online.
Islami ka thënë se nëse ulen pagat Autoriteti, do të ketë rrezik të lëvizjes së stafit që që do të shkaktonte probleme.
“Ligji i ri i pagave nëse do të kalonte dhe do të ketë ulje të pagave në 30% , atëherë mund të kemi rrezik të lëvizjes së stafit dhe është problem të krijojmë një staf të ri”, tha Islami.
Islami është shprehur se për shkak të ndaljes së fluturimeve për shkak të pandemisë këtë vit nuk do të arrihet numri prej 2 milionë udhëtarëve.
“Sivjet për shkak të pandemisë nuk do t’i kemi 2 milionë udhëtar, siç e kemi parashikuar”, tha ai.
Përfaqësuesi i Bordit Mbikëqyrës Ardian Gaxherri ka thënë se nuk e kanë miratuar atë raport, meqë nuk ka pasur kuorum.
“Ajo çka ne kemi bërë si bord është përpilimi i një raporti sipas cilësimeve tona. Kemi paraparë shkelje dhe atë ia kemi dërguar organeve kompetente. Ne nuk kemi shtruar padi por, po flas për ligjshmëri sepse ne nuk jemi organ që përcaktojmë ligjshmërinë. Në raportin e 2019-tës thuhet se ne kemi mbajtur 4 mbledhje të Bordit dhe kjo gjë nuk është e vërtet sepse ne nuk kemi pasur mbledhje ta miratojë atë raport por, edhe nëse kemi pas ajo është mbajtur pa kuorum”, shtoi ai.
Për këtë reagoi deputetja e PDK-së Evgjenie Thaçi –Dragusha tha se nëse në raport nuk ka të dhëna të sakta atëherë nuk është nevojshme të diskutohet.
“Dua ta di se raporti a është dërguar nga drejtori i shkarkuar apo nga drejtori aktual? Unë kisha dashur të bisedojmë se a është në rregull ta diskutojmë këtë raport. Nëse mendojnë që në këtë raport nuk ka të dhëna të sakta, atëherë çfarë po bëjmë ne këtu? A mund ta vazhdojmë ta diskutojmë këtë raport apo jo? Nëse vazhdojmë me komentu raportim apo thjesht në mënyrë procedurale sepse nuk kam asgjë personale apo partiake por, nëse bordi nuk e ka miratuar atëherë edhe në bëjmë shkelje nëse vazhdojmë ta komentojmë”, tha ajo.
Kryetar i komisionit për Bujqësi Liburn Aliu tha se në këtë situatë nuk mund të votohet raporti.
“Ky raport na është dërguar dhe ne mundemi mos me votu sepse ne nuk kemi raport tjetër, pavarësisht që drejtori është i shkarkuar. Atëherë ne kemi vërejtjet tona dhe ne mundemi të mos ta votojmë këtë raport, sepse ketë dokument ne e kemi i keq apo i mirë por ne në fund e qesim në votim. Unë mendoj që mund ta ndërprejmë mbledhjen sepse mos të votojmë as pro as kundër sepse kemi një situatë të re”, tha ai, raporton EO.
Deputeti i Nismës, Endrit Shala tha se në këtë raport janë duke shqyrtuar përmbajtje të pavërteta. Ai tha se ky agjencion duhet të ndihmohet edhe për hapjen e korridoreve të reja.
“Në raport thuhet se bordi ka mbajtur 4 takime po atëherë unë do të doja të dija se në emër të kujt dhe kush është personi në fjalë që e ka përgjegjësinë që e ka shkruar këtë raport, sepse ne jemi duke shqyrtuar këtu përmbajtje të pavërteta. Është mirë ne si komisioni me i dërgu një letër bordit mbikëqyrës që me e miratu apo me e plotësu raportin, sepse ne duhet ta ndihmojmë këtë agjencion edhe në hapjen e korridoreve të reja”, tha ai.
Shpejtim Bulliqi nga VV-ja tha se ky raport i ka vendosur deputetët në lajthitje që të vazhdojnë diskutimin.
“Për me eba këtë raport është shkaktuar mund dhe ka kushtuar shumë sepse e kanë dreq mirë por, këto janë për hir të qytetarëve tanë? Për hir të qytetarëve është mirë me i qit se qysh janë punësuar se si i kanë punësuar familjarët e vet dhe shkarkimet kanë ndonjë pikërisht për këto arsye, por në një far forme ky raport ka na qit në lajthitje”, shtoi Bulliqi.
Pikë tjetër e rendit të ditës ishte që ish-Burgu i Prishtinës të kthehet në muze. Komisioni do të dërgojë kërkesë te institucionet e vendit që ish-Burgu i Prishtinës të kthehet në muze.
Kryetari i komisionit Liburn Aliu ka thënë se kjo është shumë e rëndësishme për Kosovën.
“Ka rëndësi për Kosovën sepse është qendër e qytetit sepse qasja është prej rrugës kryesore dhe qytetarët shumë lehtë mund të qasen. Është një vend historik. Gjendja është e njëjtë dhe me pak investim kthehet sikur në gjendjen 90/95. Dhomat janë qysh kanë qenë dikur”, tha ai.
Ndërsa deputeti i VV-së Hajrullah Ceku tha se do të ishte më së miri të kishte një konkurs dhe të gjithë të shprehin idetë e tyre , dhe që të merret një vendim sa më demokratik.
Ndërsa deputeti i PDK-së Bajrush Xhemaili ka thënë se kjo punë duhet të shkojë përpara, dhe duhet të mbikëqyret në fazat e ndryshme.
“Ne duhet me qenë edhe me mbikqyrë nëpër fazat të ndryshme dhe mos me lan vetëm ashtu që e propozuam dhe të mos merremi më me të, sepse këtë punë duhet ta çojmë përpara deri te vendimi”, tha Xhemajli.
Po ashtu në komision u ngrit edhe shqetësimi për dëmet që janë shkaktuar nga reshjet e shiut para disa ditëve. Komisioni të mërkurën do të vizitojë edhe disa prej vendeve qe kanë pësuar dëm si Mamusha, Pirana dhe Krusha.