Mafia i ka lëshuar rrënjët thellë ndër shekuj, por vetëm gjatë shekullit të kaluar krimi në Amerikë arriti të organizohej në një nivel krejt tjetër, në një “ndërmarrje të organizuar kriminale” tejet fitimprurëse.
Ishte gangsteri Charles “Lucky” Luciano me shokët e tij, i cili më 1931 arriti që për herë të parë t’i organizojë grupet kriminale në një trup të vetëm mbikëqyrës, ky trup përbëhej nga përfaqësues të familjeve më të fuqishme mafioze në SHBA dhe quhej “Komisioni”.
Mafia në New York duke dhënë mita kishte depërtuar thellë në politikë, në polici, e gjykata, ajo po kontrollonte sindikatat por edhe çdo aktivitet tjetër ilegal si kumbarin, fajdetë, reketet, prostitucionin, alkoolin, e me vonë edhe drogën.
Dhe kur Evropën po e kaplonin ethet e luftës së dytë botërore, kur miliona të rinj po mobilizoheshin për ta luftuar ushtrinë naziste të Hitlerit, në New York por edhe në Londër, gangsterët po e shfrytëzonin rastin për ta shtrirë veprimtarinë e tyre ilegale për fitime personale.
Në vitin 1940, kur Londra po bombardohej nga nazistët, gangsteri i ri anglez Billi Hill po përfitonte maksimalisht nga situata, duke punësuar në aktivitetet e tij kriminale dezertorët e luftës, që në atë kohë në Londër ishin rreth 20 mijë, shumica të armatosur me pistoleta.
Dezertorët e luftës dhe kriminelë të tjerë ordinerë po përdoreshin nga grupet kriminale për plaçkitje të armatosura, rrëmbime dhe aktivitete të tjera të paligjshme.
Lidhjet e mafias siciliane me vendlindjen e tyre do t’u shërbenin edhe aleatëve gjatë zbarkimit të tyre në Sicili, në korrik të vitit 1943, vit ky kur autoritetet amerikane u detyruan t’i kërkojnë një favor gangsterit Lucky Luciano, tashmë të deportuar në Itali. Favori ishte një garanci që trupat amerikane të mos sulmoheshin nga vendasit. Me anë të autoritetit të tij, Luciano mundësoi zbarkimin dhe kalimin e sigurt të trupave. Pas zbarkimit të suksesshëm të aleatëve dhe duke parë rolin pozitiv të Lucianos në këtë operacion të ndjeshëm, FBI vendosi të mos e përndjekë më atë.
Pas luftës, mafia siciliane në SHBA po i legjitimonte paratë e pista nëpërmjet investimeve në hotele dhe kazino, fillimisht në Havana e më vonë edhe në Las Vegas dhe Florida.
Për shumë dekada ata po zhvatnin fonde publike në New York, siguronin tenderë në ndërtime dhe furnizime, ushtronin kontroll të plotë mbi tregun e peshkut, dhe formuan monopol në mbledhjen dhe riciklimin e mbeturinave.
Edhe në luftërat e ish-Jugosllavisë gjatë viteve të nëntëdhjeta, krimi i organizuar u fuqizua më shumë se vetë shteti i dobët, që ishte ngjeshur mes luftërave në njërën anë dhe sanksioneve ekonomike në anën tjetër.
Krimi kishte depërtuar në çdo pore të aparatit shtetëror, dhe pas fitimeve të majme nga kontrabanda dhe trafiqet e tjera ilegale gjatë tri luftërave të përgjakshme, mafiozët serbë më 2003 dhe në qendër të Beogradit, do ta vrisnin me snajper edhe kryeministrin e atëhershëm serb Zoran Gjingjiq.
Gjatë bastisjeve të klanit të Zemunit, autoritetet gjetën edhe lista të pagave mujore, dëshmi se si këta vrasës kishin arritur që përveç zyrtarëve të lartë të organeve të sigurisë dhe të policisë, të korruptonin edhe gazetarë serbë.
Kudo në Ballkanin e varfër dhe të korruptuar edhe sot kultivohet mentaliteti i kodit të heshtjes përballë krimit të organizuar, teksa “çunat e fortë” me makina të shtrenjta vazhdojnë të idealizohen nga të rinjtë dhe të rejat.
Në fillim të viteve të nëntëdhjeta, Rudolf Juliani, atëherë kryeprokuror i ri, po i shpartallonte pesë familjet më të fuqishme të Mafias së New York-ut që kontrollonin Amerikën. Për herë të parë po dënoheshin të “paprekshmit”. Krejt kjo falë dëshmitarëve të mbrojtur bashkëpunëtorë, New York-u po shndërrohej nga qyteti më i rrezikshëm, në qytetin më të sigurt të SHBA-së.
Në Rusi, vend ky që po kalonte një tranzicion të egër, po lindte një mafie e re. Megjithëse njihej si brutale, mafia ruse po përdorte metoda demode, gjersa krimi i organizuar në vendet perëndimore tani po hynte më i sofistikuar në shekullin 21, model të cilin edhe rusët do ta aplikonin pas ardhjes në pushtet të Vladimir Putin më 1999, një periudhë e mjegullt, ku me ndërrimin e pushtetit po ndërrohej edhe elita ruse. Mbijetues të tranzicionit ishin vetëm miqtë e afërt të Putin, ish-kolegët e tij të dikurshëm të KGB-së, që brenda nate po legjitimonin pronat dhe pasuritë e fituara nga krimi, ndërsa oligarkë dhe mafiozë të tjerë po burgoseshin dhe disa prej tyre edhe po eliminoheshin fizikisht.
Teknologjitë e reja të komunikimit si interneti, digjitalizimi, por edhe globalizimi në përgjithësi, janë disa nga faktorët kyç që e transformuan dhe sofistikuan krimin e organizuar, duke e bërë këtë fenomen më të vështirë për t’u luftuar.
Edhe mafia shqiptare e ka hisen e saj në trafiqe, së fundmi grupet shqiptare të infiltruara në kartelet e Amerikës Jugore, cilësohen si furnizuesit kryesorë të Evropës me kokainë. Në këtë aspekt i kanë lënë pas paraardhësit e tyre, mafian italiane dhe ato serbo-malazeze.
Në Kosovë, lidhjet ndërkombëtare të krimit tradicionalisht janë mirëmbajtur, ndërsa në kohëra krizash, lidhjet dhe bashkëpunimi mes kriminelëve vetëm shkojnë e forcohen.
Kosova sot po ballafaqohet me kriminelë të fuqishëm financiarisht, kartele të armatosura rëndë, të cilat me lidhjet e tyre korruptive dhe fuqinë financiare që kultivuan gjatë dekadave, po e cenojnë drejtpërdrejtë sigurinë e vendin tonë, me metoda terroriste siç bënte dikur Pablo Escobar në Kolumbi.
Këta kriminelë të trajnuar në kampe ushtarake të Serbisë dhe të bekuar nga klerikë ortodoksë të kishës serbe, bëjnë çmos për ta mbajtur territorin në pjesën veriore të Kosovës nën kontrollin e tyre.
Mafia i mbijetoi të gjitha kohërave, bosët mund të vriten apo burgosen, por struktura kriminale zakonisht mbetet funksionale.
Përvoja na mëson se në kohëra krizash, nëse “të fortit” nuk bashkëpunojnë, atëherë këta ego-maniakë fillojnë të bëhen të rrezikshëm për sigurinë, dhe në qoftë se nuk eliminohen, ata hakmerren pamëshirshëm. Gjatë rrugës së hakmarrjes sfidohen ligji, autoriteti shtetëror por edhe paqja, sërish për fitime personale.
Milan Radojqiq sot kërcënon nga malet, dhe ne nuk e dimë se a do ta presë një fat i ngjashëm me Prigozhinin. Si pasojë e sistemit të dobët gjyqësor të Kosovës, ai dhe bashkëpunëtorët e tij këndej kufiri gjenden akoma të lirë.
Kjo “shtyllë e pestë e pushtetit” në Kosovë është ende shumë aktive, ajo ushqehet direkt nga aktivitet e paligjshme e njëkohësisht ushqen korrupsionin, por edhe kalb katër shtyllat e tjera vitale pa të cilat pesha dhe funksionaliteti i një shteti demokratik s’kanë ku të mbështeten.