Shumë lëndë e pak gjyqtarë në Gjykatën e Apelit

Prishtinë | 19 Kor 2016 | 15:27 | Nga

Gjykata e Apelit vazhdon të përballet me një numër jashtëzakonisht të madh të lëndëve në raport me numrin e gjyqtarëve dhe të stafit mbështetës.

Bazuar në raportet statistikore, del se gjatë këtij gjashtëmujori të parë të vitit 2016, ky institucion ka pranuar në punë 6 341 lëndë, të cilave kur i shtohen edhe 9 597 lëndët e trashëguara nga vitet paraprake, mbërrijnë shifrën prej 15 938, transmeton televizioni publik.

Falë punës dhe angazhimit të madh të gjyqtarëve dhe punonjësve të administratës , gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur 5 506 lëndë, ndërsa të pazgjidhura aktualisht kanë mbetur edhe 10 432. Pjesa dërmuese e tyre, afro 9 mijë lëndë, janë të natyrës civile, ndërsa me to po merren vetëm 14 gjyqtarë, që i bije secili me mbi 700.

Gjykata e Apelit, ashtu si vitin e kaluar, është duke e vazhduar trendin e zgjidhjes në afate rekorde të rasteve nga Departamenti i Krimeve të Rënda. Ndërsa nuk qëndron keq as në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni penal dhe divizioni për kundërvajtje.

Punë e mirë po ashtu është bërë edhe në Departamentet për të mitur, administrativ dhe ekonomik.

Gjykata e Apelit e Kosovës vepron si gjykatë e shkallës së dytë, që do të thotë se i gjykon lëndët e pranuara pas ankesës nga ndonjëra prej shtatë gjykatave themelore.

Përveç kësaj, kjo gjykatë vendos lidhur me konfliktin e kompetencës midis gjykatave themelore dhe çështje tjera të përcaktuara me ligj.

Në Gjykatën e Apelit, aktualisht punojnë 34 gjyqtarë, të përkrahur nga 71 punëtorë administrativë.

Të ngjashme