Shumë marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel, pak zbatim

Prishtinë | 21 Sht 2021 | 17:44 | Nga Ekonomia Online

Në mars të vitit 2011, Kosova e Serbia filluan dialogun teknik me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pas katër viteve dialog, Prishtina e Beogradi nënshkruan 38 marrëveshje për një varg gjërash. Ndonëse kanë kaluar më shumë se një dekadë ka fillimi i dialogut të lehtësuar nga BE, hulumtimet e ndryshme ndër vite kanë theksuar mungesën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura përgjatë dialogut teknik.

Marrëveshja e parë e arritur nga dy shtetet, që ende se njohin njëra-tjetrën, ishte ajo për librat e gjendjes civile, e cila u nënshkrua më 2 korrik 2011 nga Edita Tahiri, kryenegociatore e Kosovës, dhe Borko Stefanovic, udhëheqësi i delegacionit të Serbisë, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

Me këtë marrëveshje të dy palët përkushtoheshin për të krijuar një regjistër civil të besueshëm në Kosovë duke krijuar një “komision të përbashkët” trepalësh të ekspertëve ku duhej të përfshihej edhe EULEXI. Sipas marrëveshjes, Kosova do të furnizohej me kopjet e regjistrave civil, të cilat Serbia i mori gjatë largimit nga Kosova si pasojë e nënshkrimit të kapitullimit në qershor të 1999.

Marrëveshja për njohjen e diplomave e nënshkruar më 2 korrik 2011, që synonte njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, do të pranonte reciprocikisht diplomat e universiteteve kosovare, në të cilën diplomojnë studentët e Luginës së Preshevës, dhe Universitetit të Mitoricës Veriore, në të cilën diplojnë serbët e veriut.

I njëjti Universitet, që nga autoritet kosovare njihej si paralel, punonte sipas sistemit arsimor serb.

Por, kjo marrëveshje nuk është se pati shumë ndikim dhe zbatimi i saj ka çaluar në terren. Prandaj, të dy vendet ripërtërin premtimin për njohjen e diplomave kur nënshkruan Marrëveshjen e Washingtonit në shtator 2020.

Vitit 2011 ishte produktiv për dialogun teknik Kosovë-Serbi. Gjatë këtij viti u arritën edhe një sërë marrëveshjesh përfshirë atë për lirinë e lëvizjes, që njohu patentë shoferët, letërnjoftimet dhe shtyhej vlefshmëria e targave KS dhe zëvendësimin e targave RKS me ato provuese gjatë hyrjes në territorin e Serbisë.

Kjo marrëveshje nuk është se u zbatua në tërësi, njëkohësisht duke bërë që qytetarët kosovarë të shmangin kalimin nëpërmes territorit të Serbisë dhe anasjelltas.

Marrëveshja për regjistrat kadastral, vulat doganore e menaxhimin e integruar të kufirit janë marrëveshjet që u nënshkruan po ashtu gjatë vitit 2011, shkruan Reporteri.net.
Këto marrëveshje nuk është se u mirë zbatuan, posaçërisht ajo për regjistrat kadastral.

Ndërkaq gjatë viteve 2012 e 2013, Kosova e Serbia nënshkruar edhe disa marrëveshje përfshirë atë për policinë, doganat e fondin zhvillimor, drejtësia e shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës.

Në vitin 2014, u nënshkrua marrëveshja për revitalizimin e Urës së Mitrovicës e që nënkuptonte hapjen e urës për lëvizje të lirë.

Ndoshta Marrëveshja për Urën shpërfaq dështimin më spektakular të dialogut për zbatimin e qëndruehsëm të marrëveshjeve.

Edhe pas 7 viteve e nënshkrimeve të konkluzioneve për urën dhe planeve për zbatim, ura mbi lumin Ibër vazhdon të mbetët e mbyllur. Ndërkaq, statusi i zonave Suhadoll dhe Kroi i Vitakut mbetet ende i paqartë dhe i kontestueshëm ndërmjet komunës së Mitrovicës së Jugut e Mitrovicës së Veriut.

E dialogu politik, që u udhëhoq nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Avdullah Hoti, solli një mori marrëveshjesh, shkruan Reporteri.net.

Marrëveshja kryesore e dialogut politik të lehtësuar nga BE është ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të nënshkruar më 19 prill 2013, që parashihte themelimin e një strukture të komunave të banuara me shumicë serbe me synimin e integrimit të serbëve.

Kjo marrëveshje u kundërshtua ashpër nga opozita në Kosovë dhe ende ka mbetur e pazbatueshme. Madje Statusi i ASK është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila konkludoi se Marrëveshja për Statusin e shkel Kushtetutën në plotë 31 vende.

Në vitin 2020, pas stagnimit për disa vite të dialogut si pasojë e taksës e problemeve tjera të shkaktuara nga Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën timonin e udhëheqjes së dialogut.

Nën udhëheqjen e Richard Grenell, përfaqësues special i ish-presidentit Trump për Kosovë e Serbi, u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik që gjerësisht u njoh si Marrëveshja e Washingtonit.

Edhe kjo marrëveshje u kundërshtua ashpër posaçërisht nga Albin Kurti, kryeministër aktual i Kosovës.

Dje Qeveria Kurti II mori vendim për mos lejimin e udhëtimit në Kosovë me targa serbe, duke vendosur reciprocitet në vendosjen e targave provuese për veturat më targa serbe që hyjnë në vend.

Të ngjashme