Shumë shtete nuk ofrojnë mbrojtje ligjore për viktimat mashkullore të dhunës seksuale

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Sipas një studimi botëror të legjislacionit të vendeve të ndryshme, dhunimi seksual i meshkujve rrallë adresohet në ligjet e shumë shteteve. Në këtë studim ishin të përfshira 40 shtete, ndërsa u raportua se gati gjysma e tyre nuk ofrojnë mbrojtje ligjore për djemtë dhe burrat.

Në shumë raste, ligjet janë të specifikuara vetëm për gratë dhe nuk i njohin burrat si viktima të kësaj dhune. Hulumtuesit kanë thënë se meshkujt janë të diskriminuar edhe kur bëhet fjalë për shërbimet mbështetëse, përfshirë strehimoret dhe ndihmën juridike falas, të cilat më shumë u ofrohen grave. “Kjo çështje shpesh paraqitet si problem i dhunës ndaj grave dhe prandaj ligji i mbron ato më shumë sesa burrat”, tha Katherine Stewart, njëra nga hartueset e këtij raporti.

Vlerësohet se 18 për qind e vajzave dhe 8 për qind e djemve në tërë botën kanë qenë të paktën një herë viktima të dhunës seksuale në fëmijëri. Sidoqoftë, dhunimi seksual i djemve është në shkallë më të lartë në disa shtete të caktuara siç është Kenia, ku organizata “UNICEF” thotë se 20 për qind e meshkujve kanë qenë viktima të dhunës gjatë fëmijërisë.

Sipas raportit të publikuar, stigma, stereotipet sociale dhe homofobia janë ndër faktorët kryesojnë që ndikojnë në mosraportimin e dhunës nga djemtë. Autorët e këtij hulumtimi këshillojnë që atyre t’u ofrohen mundësi të përshtatshme për raportim më të lehtë të këtyre rasteve dhe se luftimi i dhunës seksuale duhet të jetë prioritet botëror, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme