Tirana është më e pastër!
Ky është mendimi i 73% qytetarëve kryeqytetas, të pyetur për punën që po bën Bashkia e Tiranë për të mbajtur pastër qytetin. Duket se reformimi i sistemit të pastrimit në Tiranë, me krijimin e kompanisë “Eco Tirana”, ka bërë që të ndryshojë dhe perceptimi i qytetarëve për nivelin e pastërtisë, shumica dërrmuese e të cilëve shprehen të kënaqur me pastrimin e qytetit të Tiranës.
Të dhënat e mbledhura në terren nga ekspertët e “Institutit Europian Pashko” për të matur perceptimin e qytetarëve mbi Eco Tirana, tregojnë se qytetarët janë masivisht të kënaqur nga shërbimi i kompanisë publike që merret me pastrimin e kryeqytetit.
Sondazhi u realizua nga një grup pune i drejtuar nga tre profesorë specialistë të ekonomisë, shkencave politike dhe statistikës, të mbështetur nga 50 studentë dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët dolën në terren për të matur perceptimin e qytetarëve mbi ECO Tirana. Në përfundim të punës, u grumbulluan 4296 pyetësorë me qytetarët dhe u zhvilluan 386 intervista me bizneset e ndodhura brenda zonës ku u zhvillua projekti – në fazën e parë të zhvilluar në muajin qershor 2017 – dhe 4406 pyetësorë nga qytetarët në fazën e dytë të zhvilluar në muajin shtator 2017.
Ndarja në dy faza synoi të masë ndryshimet e perceptimit që ka komuniteti përgjatë kohës, në raport me njohjen e veprimtarisë së kompanisë, impaktin e punës së saj në komunitet dhe kënaqësinë e tyre për këtë shërbim.
Bashkia e Tiranës ka vendosur si prioritet të sajin një menaxhim më efektiv të mbetjeve, me qëllim krijimin e një mjedisi të pastër për qytetarët. Si instrument për adresimin e këtij prioriteti, bashkia krijoi agjencinë Eco Tirana, puna e se cilës është mirëpritur edhe nga qytetaret.