Shumica e telefonave në Kosovë të pazhdoganuar

Prishtinë | 24 Kor 2017 | 18:07 | Nga

Dogana ka dështuar që të realizojë në tërësi iniciativën për të mos lejuar telefonat mobil të kyçen në sistemin e komunikimit të kompanive të telefonive mobile. Dogana kishte ndërmarrë iniciativë për të zhdoganuar telefonat mobilë, por një gjë e tillë është penguar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, tha se dogana para disa viteve ka ndërmarrë një iniciativë për të ndërtuar një sistem të zhdoganimit të telefonave mobil përmes rrjeteve operuese në Kosovë, mirëpo sipas tij, pengesë është Agjencioni për Mbrojtjen e të Dhënave i cili ka lëshuar një vendim përmes të cilit doganimi mund të ndikoj në privatësi.

“Pengesa kanë dalë pasi Agjensioni për Mbrojtjen e të Dhënave i cili ka lëshuar një vendim me të cilin ka njoftuar se ky udhëzim apo ky sistem i propozuar nga dogana mund të ndikojë në privatësi”, tha zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci për rtklive.com.

Ai shtoi se praktika të tilla për zhdoganimin e telefonave mobil kanë edhe shtetet e rajonit apo më gjerë të cilat e aplikojnë.

“Ne kemi kërkuar që përmes miratimit të një ligji apo udhëzimi të obligohen operatorët e telefonisë mobile në Kosovë që të bëjnë instalimin e një softueri i cili në bazë të numrave unit (IMEI) të secilit telefon mobil që hyn në këto rrjete i kontrollon me databazën e telefonave të cilët kanë paguar apo nuk kanë të paguar taksat. Respektivisht vetëm telefonat me taksa të paguara regjistrohen në softuerë ashtu që të kenë mundësi të qasjes në rrjetet telefonike mobile. Vende të ndryshme kanë sisteme të ngjashme një prej tyre është edhe Turqia”, tha Stavileci.

Kurse, për mundësinë e shtyrjes së kësaj iniciative e që lidhet me kontrabandimin e telefonave, Stavileci mohoi një gjë të tillë.

“Dogana është duke punuar shumë për identifikimin dhe parandalimin e kontrabandimit të telefonave përkundër shumë konfiskimeve kemi edhe zhdoganime të mjaftueshme pasi ushtrojmë edhe kontrolle në lokalet e shitjes me pakicë”, tha Stavileci.

Nga ana tjetër, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDHP), ka bërë me dije se në fillim të vitit 2015 ka pranuar një kërkesë nga Dogana e Kosovës, konkretisht nga sektori për çështje legjislative dhe ligjore, ku kanë kërkuar, koment lidhur me koncept dokumentin për trajtimin e procedurave të inkasimit të detyrimeve doganore për telefonat mobil.

”Agjencia, në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe duke marrë për bazë praktikat e mira rajonale dhe evropiane të trajtimit të IMEI ka dhënë koment me sqarime lidhur me Koncept Dokumentin për trajtimin e procedurave të inkasimit të detyrimeve doganore për telefonat mobil”, thuhet në përgjigjen e ASHMDHP-së, për RTKlive.

Ndërsa sa i përket çështjes së zhdoganimit të telefonave mobil, ASHMDHP vlerëson se nuk ka penguar një gjë të tillë, pasi që kjo çështje është në kompetencën e Doganës

Regjistrimi dhe zhdoganimi i telefonave mobil në vendet evropiane është rregullar në atë formë që nuk mund të kyqet telefoni pa i kryer obligimet ndaj shtetit.

Të ngjashme