Më 2 prill, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi tarifa prej 34 për qind ndaj mallrave kineze, si pjesë e një vendimi më të gjerë, ku vendosi tarifa ndaj shumicës së partnerëve tregtarë. Kosovës iu vendos tarifa bazë prej 10 për qind.
Dy ditë më vonë, më 4 prill, Kina u kundërpërgjigj me tarifa të njëjta ndaj mallrave amerikane. Katër ditë më vonë, SHBA-ja njoftoi për tarifa shtesë ndaj Kinës, duke arritur në 104 për qind dhe duke i kërkuar Kinës që të tërheqë masat e saj. Më 9 prill – kur tarifat amerikane ndaj Kinës dhe vendeve të tjera nisën të zbatohen – Pekini njoftoi për rritjen e tarifës ndaj mallrave amerikane nga 34 në 84 për qind.
Këto zhvillime shënojnë një përshkallëzim të luftës tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Kjo përplasje do të ketë pasoja jo vetëm për SHBA-në dhe Kinën, por edhe për gjithë tregun global, përfshirë dhe Kosovën, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi.
Marrë parasysh se Kosova vazhdon të jetë e varur nga mallrat e importuara, thotë ai, vendi do ta ketë të vështirë të shmangë pasojat e këtyre tarifave.
Bektashi shprehet se tarifat e reja do të shkaktojnë një valë të re inflacioni, e cila do të ndikojë jo vetëm në SHBA, por edhe në Evropë.
“Nga zbatimi i tarifave, barra do të bjerë në fund të zinxhirit, te konsumatorët. Konsumatorët në të gjithë botën, përfshirë ata në Kosovë, do të blejnë produkte kineze deri në 40 për qind më shtrenjtë sesa paguajnë aktualisht”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Për t’i shmangur këto çmime, Bektashi thotë se kompanitë kosovare duhet të orientohen drejt tregjeve të tjera të Bashkimit Evropian.
“Në këtë kontekst, tregjet alternative do të gjenden më lehtë dhe do të ofrojnë produkte me cilësi më të lartë, por gjithashtu me çmime më të larta. Humbësi më i madh, nga këto tarifa do të jetë Kina, si dhe disa shtete aziatike me zhvillim të shpejtë ekonomik, si India dhe Vietnami”, thekson ai.
Ndërkohë, Ramiz Kelmendi nga Elkos Group, i cili më parë ka pasur edhe pozitën e zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës, beson se kompania e tij do vazhdojë të importojë nga Kina edhe pas vendosjes së tarifave nga SHBA-ja.
Ai beson se tarifat e reja ndaj Kinës do të ndikojnë në uljen e çmimeve të produkteve.
“Pasi Kina eksporton shumë në tregun e SHBA-së, pas ndikimit të tarifës do të zvogëlohet sasia e produkteve për këtë treg dhe produktet do të orientohen në tregje të tjera. Kina nuk do ta ndalë prodhimin, por do të rritet konkurrenca dhe kjo do ta sjellë uljen e çmimeve për tregjet e tjera”, shprehet Kelmendi.
Për dallim nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kina nuk ka realizuar investime kapitale në Kosovë. Bashkëpunimi mes dy vendeve mbetet në nivelin e importit dhe eksportit të mallrave.
Marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Kinës
Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por respekton, siç thotë, integritetin territorial të Serbisë, e cila, me Kushtetutë, Kosovën e trajton ende si pjesë të territorit të saj.
Për këtë arsye, dy shtetet nuk kanë marrëdhënie diplomatike, por Kina ka një zyrë ndërlidhëse në Kosovë, që funksionon nën Ambasadën kineze në Beograd.
Nëse qytetarët e Kosovës duan ta vizitojnë Kinën, ata duhet të pajisen me vizë, të cilën mund ta kërkojnë në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Viza shqyrtohet në Ambasadën e Kinës në Beograd.
Ngjashëm edhe qytetarët kinezë, përveç atyre me pasaporta diplomatike, që dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën duhet të kenë vizë dhe mund ta marrin atë në ambasadat e Kosovës në Shqipëri ose Turqi. /REL/