Si do të duket rikthimi në shkolla gjatë pandemisë?

Prishtinë | 27 Gus 2020 | 10:18 | Nga Ekonomia Online

Jeta gjatë pandemisë së COVID-19 është e vështirë për prindërit sa edhe për fëmijët. Rikthimi në shkollë është një hap shpresëdhënës dhe i rëndësishëm, por prindërit dhe fëmijët pa dyshim se kanë shumë pikëpyetje që duan t’i eliminojnë, me afrimin e fillimit të vitit të ri shkollor. Në vijim janë disa informata të vlefshme se çfarë mund të pritet dhe si mund të përkrahen nxënësit me këtë rast.

Kur dhe si do të rihapen shkollat?

Kudo nëpër botë fëmijët janë duke u rikthyer nëpër klasa me ritme të ndryshme. Më shumë se 1 miliard nxënës nuk i kanë vijuar mësimet në shkolla, për shkak të mbylljeve mbarëkombëtare shkaku i pandemisë. Sidoqoftë, 105 nga 134 shtetet që i kanë mbyllur shkollat (gjithsej 78 për qind) tani kanë marrë vendime për caktimin e datave të rihapjes së tyre. Nga këto 105 shtete, 59 tashmë i kanë hapur shkollat apo planifikojnë ta bëjnë këtë gjë së shpejti.
Duke pasur parasysh vështirësitë e situatës dhe dallimet përreth globit, vendet janë në faza të ndryshme dhe po zbatojnë metoda jo të njëjta lidhur me rihapjen e shkollave. Këto vendime zakonisht merren nga qeveritë kombëtare apo shtetërore, kryesisht pas diskutimeve me autoritetet lokale. Kur të vendoset nëse shkollat do të hapen apo jo, autoritetet duhet t’i marrin parasysh dobitë dhe rreziqet e edukimit, shëndetit publik dhe faktorëve shoqëroro-ekonomikë, në kontekstin lokal. Interesi më i mirë për fëmijët duhet të jetë në qendër të vëmendjes së këtyre diskutimeve, duke përdorur dëshmitë më të mira të mundshme.

A ka siguri në shkolla?

Vendimet rreth masave kontrolluese në shkolla, si dhe mbylljes apo hapjes së tyre duhet të jenë në përputhje me vendimet për masat parandaluese të marra përbrenda komuniteteve lidhur me distancën fizike dhe shëndetin publik. Përgjithësisht, shkollat nuk do të hapen në disa shtete si pjesë e masave ekzistuese të izolimit.

Por pavarësisht kësaj, është thelbësore që shkollat t’i planifikojnë veprimet qysh më përpara dhe të shikojnë se çfarë masash shtesë mund të zbatojnë, në mënyrë që të garantojnë siguri për nxënësit, mësuesit dhe gjithë stafin.
Për këtë arsye, kthimi në shkollë do të duket pak më ndryshe nga ajo se si prindërit dhe fëmija janë mësuar deri më tani. Ka të ngjarë që shkollat të rihapen për një periudhë të caktuar kohore dhe pastaj të merret vendimi për mbylljen e sërishme të tyre për një kohë të konsiderueshme, krejt kjo varësisht nga situata lokale. Si pasojë e ndryshimeve në gjendjen epidemiologjike, autoritetet duhet të jenë më fleksibile dhe të gatshme që të mësohen për të kontribuar në sigurinë e çdo fëmije.

Çfarë masash paraprake duhet të marrin shkollat?

Rihapjet e shkollave duhet të përkojë me masa individuale shtetërore për shëndetësi, në mënyrë që të mbrohen nxënësit, stafi, mësuesit dhe familjet. Disa nga masat praktike që shkollat mund të marrin mund të janë caktimi i kohës së hapjes dhe mbylljes gjatë një dite shkollore, caktimi i kohës së ushqimit, zhvendosja e klasave në hapësira të përkohshme apo jashtë shkolle, mbajtja e mësimit me ndërrime, me qëllim të zvogëlimit të numrit të nxënësve nëpër klasa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme