Ditën e premte mbi vendin tonë parashihet të mbajë mot më i ngrohtë dhe me intervale më të gjata me diell, me më pak mundësi për të reshura shiu. Në veri të vendit, përreth viseve malore, orëve të pasdites mund të ketë rrebeshe shiu me bubullimë, bën të ditur Prishtina Weather.
Shërbimi i meteorologjisë njofton se nga dita e shtunë, fusha jostabile me masa më të freskët ajrore nga Atlantiku do të shtrihen mbi rajon, të cilat sërish do të kushtëzojnë mot të ndryshueshëm, me vranësira dhe diell, kohë pas kohe me rrebeshe shiu dhe bubullima. Nga dita e diel temperaturat do të pësojnë rënie më të ndjeshme edhe nën vlera mesatare.
Parashikimi për 19 dhe 20 qershor:
19.06.2020 – Më ngrohtë, kryesisht me diell. Ditën vranësira lokale, e përreth viseve malore në veri të vendit mundësi për rrebeshe shiu me bubullimë. Temperaturat në vise të ulëta 12C deri 27C, e në vise malore 9C deri 18C. Era do të fryjë mesatarisht nga jugperëndimi dhe veriperëndimi 4-11m/s. Indeksi UV: 9.
20.06.2020 – Pjesërisht me diell, e pasdite priten zhvillime të shtrëngatave të shpërndara me shi. Temperaturat në vise të ulëta 13C deri 25C, e vise malore 8C deri 17C. Do të fryjë erë mesatare nga veriperëndimi dhe jugperëndimi 5-12m/s. Indeksi UV: 8.