Si e “korrigjoi” Amerika Stoltenbergun për takimin me Kurtin: Kryeministër i Republikës së Kosovës

Prishtinë | 29 Pri 2021 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Misioni amerikan në NATO e ka korrigjuar njoftimin që sot u bë për takimin e Jens Stoltenberg me Albin Kurtin, shefin e Qeverisë të Kosovës. Në njoftimin zyrtar të NATO-s nuk u përmend askund se Kurti është në krye të ekzekutivit kosovar, derisa, amerikanët u kujdesën që ta potencojnë këtë gjë kur e ripostuan shkrimin në llogarinë e tyre zyrtare.

Kryeministri Albin Kurti është takuar sot në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Pas këtij takimi kanë reaguar nga misioni amerikan në NATO.

Të njëjtët e kanë shpërndarë njoftimin nga takimi mes Stoltenberg dhe Kurtit.

SHBA-të përmes këtij shkrimi kanë rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën dhe rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik.

“Sekretari Jens Stoltenberg mirëpriti sot në mëngjes kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në selinë qendrore të NATO-s. SHBA-të do të qëndrojnë përkrahë Kosovës për të vazhduar rrugën e saj drejt integrimit Euro-atlantik”, thuhet në njoftim.

Në këtë njoftim, amerikanët e kanë përmirësuar njoftimin zyrtar të NATO-s ku Kurtit nuk iu përmend pozita që mban si kryeministër i Republikës së Kosovës.

SHBA-të e kanë potencuar pozitën që ka Kurti dhe shtetin të cilin ai përfaqëson.

Në postimin që sot ka bërë Stoltenberg kishte shkruar se sot ka takuar Albin Kurtin, derisa, askund nuk përmendet që i njëjti është kryeministër i Kosovës.

“Mirëprita Albin Kurtin për të diskutuar zhvillimet në Kosovë dhe rëndësinë e NATO-s – KFOR-it për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. NATO mbështet përpjekjet për të rinisur bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Dialogu është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike”, ka shkruar ai./

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme