Kështu do të duhej të ishte kur flitet për temën e zgjedhjes së Presidentit/ Presidentes së Kosovës.
Apo, kështu duhet thënë. Tek e fundit.
Pra, deri në 30 ditë para seancës së Kuvendit të Kosovës kur do të duhej të votohej për Presidentin/ Presidenten e re, do të nominoheshin (së paku) dy kandidat për këtë post shumë të rëndësishëm të shtetit, duke i mbledhur nënshkrimet e (së paku) tridhjetë deputetëve për secilin prej tyre.
Kohën e mbetur deri në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, këta dy të propozuar do të kalonin duke u takuar me deputetët e Kuvendit, në prezentim të qëndrimeve të tyre për detyrat që i presin nëse zgjedhen President.
Më në fund, do të mbahej edhe një debat televiziv midis tyre, ashtu që opinioni kosovar të njihej me punët që do t’i bënin ata/ ato, në rast që marrin mandatin pesëvjeçarë të Presidentit.
Natyrisht, te ne Presidenti emërohet me votën e parlamentarëve dhe jo të qytetarëve (dihet pse), por në një Botë të mirëfilltë politike kosovare (dhe vetëm politike), deputetët, të cilët edhe ashtu e përdorin votën e fshehtë për zgjedhjen e Presidentit, nga ky debat dhe nga paraqitjet e kandidatëve, do të mund edhe ta ndërronin mendjen, dhe të votonin për atë të nominuar që ka premton më shumë nëse merr këtë rol në shtetin e Kosovës.
Në këtë rast, nuk do të kishte kurrë më problem me Quorum-in, apo, vetë nisjen e procedurës së zgjedhjes së Presidentit, e të mos flasim për vet epilogun e kësaj procedure.
Një herë e mirë do të shmangej ai kërcënimi që është i vazhdueshëm që prej vitit 2011 e këndej (pas ngjarjeve të njohura për të gjithë), që dështimi i Kuvendit të Kosovës për ta bërë vendin me President, do të provokojë me atë automatizmin kushtetues mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Mund të merret me mend edhe që ky variant, realisht më i miri i mundshëm, që aktualisht ’banon’ në sferën e imagjinatës politike, do të gozhdohet menjëherë nga shumë anë, duke shfaqur akuzën që ky rrëfim në të vërtetë pretendon ta sigurojë Quorum-in për zgjedhjen e Presidentit dhe asgjë më shumë.
Por, Kosova, skena politike e saj dhe vet qytetarët nuk munden dot sa herë të vie koha për ta zgjedhur Presidentin të përballet me shantazhet e të gjitha llojeve të secilit që ka pak hise në gjithë këtë proces, se a do të ketë fare votim për ta emëruar të parin e shtetin, e jo se kush do të jetë kandidat për President, dhe cili prej tyre është në të vërtetë kandidat më i mirë.
Kjo vlenë veçmas për rrethanat e tanishme në vend, kur pas një vendnumërimi shterrues dhe rraskapitës të vitit të kaluar, mezi u bëmë me Kuvend dhe me Qeveri funksionale.
Gjëja e fundit që na duhet të gjithëve (po supozojmë), është që sërish t’ia mësymë qendrave të votimit, kësaj here sepse nuk po mund dot të bëhen tetëdhjetë deputetë në sallën e Kuvendit për ta nisur procedurën e zgjedhjes së Presidentit.
Jemi lodhur nga votimet.
Zatën, qytetarët votojnë që Kosova të ketë pushtet të mirëfilltë, si në Kuvend, ashtu edhe në Qeveri dhe në Presidencë.
Në anën tjetër, aktualisht, kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në finalen e procedurës parlamentare të votimit për President, kanë nisur të mbahen takimet në mes të Kryeministrit Albin Kurtit dhe liderëve të partive opozitare, Bedri Hamzës (Kryetarit të PDK-së) dhe Lumir Abdixhikut (Kryetarit të LDK-së), për të gjetur si thuhet ’gjuhë të përbashkët’ për këtë çështje, sepse (sërish) numrat janë problem, dhe me gjasë, do të jenë gjithmonë problem derisa të mos kthehet në binarë të mirëfilltë politik e gjithë kjo ndërmarrje.
Si rëndom në këto raste shfaqet ajo ideja e gjetjes së një emri konsensual për postin e Presidentit, teksa realisht, në gjithë historinë e demokracisë parlamentare në vend as një të vetmën herë, nuk kemi bërë një gjë të tillë, së paku jo ne vet, jo ne me forcat dhe me dijen tonë politike.
Kush e di, ndoshta kësaj radhe ia dalim. Apo, kështu duhet thënë. Tek e fundit.