Njerëzit e moshës 70-vjeçare dhe më të vjetër të cilët e identifikojnë veten si ‘të vjetër’ ndihen më keq për shëndetin e tyre në shoqëritë ku ata perceptojnë se kanë vlerë më të ulët se sa grupmoshat e reja.
Studimi i ri nga psikologët në Universitetin e Kentit, me titullin “Të jesh i vjetër dhe i sëmurë” nëpër vende të ndryshme: statusi social, identifikimi i moshës dhe shëndeti subjektiv i të moshuarve, ka përdorur të dhënat nga Anketa Sociale Evropiane.
Nga të anketuarit, të cilët ishin të moshës 70-vjeçare dhe më të moshuar, u kërkua që ta vetë-vlerësojnë shëndetin e tyre.
Studiuesit zbuluan se ata që jetojnë në shoqëritë ku të moshuarit kanë status më të ulët kanë më shumë të ngjarë ta kenë një këndvështrim subjektiv negativ për shëndetin e tyre në qoftë se e identifikonin veten si ‘të vjetër’.
Megjithatë, identifikimi si një person i vjetër nuk ishte i lidhur me shëndetin subjektiv në shoqëritë ku të moshuarit kanë status më të lartë.
Rezultatet theksuan se në vendet ku mosha e vjetër është perceptuar si një status dukshëm i ulët, identifikimi me moshën e vjetër është i lidhur me shëndetin më të keq subjektiv.
Studimi mund të ketë implikime të mëdha për hartuesit e politikave në Evropë, ku ngritja e statusit të perceptuar social të njerëzve të moshuar do të ketë të ngjarë t’i reduktojë konotacionet negative që lidhen me moshën e vjetër, duke siguruar që identifikimi si “i vjetër” nuk do të ketë ndikim negativ në atë se sa të shëndetshëm ndihen njerëzit.