Zyra e BE-së në Kosovë, ka kërkuar që të shmangen ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë, lidhur me rastin e Nehat Thaçit, rast që, sipas tyre, po e ndjekin nga afër, raporton KTV .
Në anën tjetër, zyrtarë kosovarë po diskutojnë për arrestimin e tij nga shteti i Serbisë.
Zëvendëskomandanti i Policisë, Naim Rexha, ka raportuar para Komisionit për Siguri, ku ka thënë se në bazë të të dhënave, kjo ka qenë hera e parë e drejtorit Thaçi që futet në ndonjë nga pikat kufitare me Serbinë.
Deputetët anëtarë të këtij komisioni, kanë pasur shumë pyetje e çështje për të ngritur para zëvendësdrejtorit Rexha.
Për rastin e Drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaçi, me rezolutën e Kuvendit, R-005, kërkohej nga Bashkimi Evropian, që të ndërhyjë në lirimin e Thaçit.
Por, siç ka raportuar Koha Ditore të martën, zyra e BE-së në Kosovës, po ndjek nga afër rastin e drejtorit Thaçi, duke mos komentuar procesin ndaj tij për hir të respektimit të pavarësisë së gjyqësorit.