Kadri Veseli, menjëherë pasi është zgjedhur Kryetar i PDK-së, ka nisur reformat në parti dhe betejën kundër korrupsionit dhe nepotizmit në Kosovë.
Ai ka larguar nga postet publike dhe ka suspenduar nga pozitat partiake të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të cilat ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitave zyrtare, korrupsion ose nepotizëm.
Veseli ka thënë se do ta vendosë një standard të ri të etikës dhe këtë do ta fillojë nga PDK, për të vazhduar pastaj në tërë Kosovën.
Por, kjo nuk është hera e parë që ai ndërmerr veprime konkrete.
Në vitin 2016, Veseli pat iniciuar një aksion të madh të lirimit të pronave publike nga uzurpatorët dhe ky vendim i tij pat bërë bujë të madhe.
Në atë kohë, në një aksion të gjerë të policisë, ishin liruar mbi 200 prona të uzurpuara.
Duke folur mbrëmë në Klan Kosova, Veseli ka rikujtuar këtë moment, duke thënë se edhe atëherë njerëzit kishin dyshime nëse pronat publike do të liroheshin nga uzurpatorët, por realiteti sot tregon se një gjë e tillë kishte ndodhur.
“Kur kam filluar iniciativën për largimin e uzurpatorëve nga pronat publike, të cilët kishin 16 vjet që abuzonin me pronat publike në Kosovë, kishte dyshime nëse do t’ia dilnim. Ata që ishin uzurpatorë, ju bindën forcës së ligjit, sepse ata u bindën se iniciativa nuk ishte selektive, por ishte kundër të gjithëve. Ligji është mbi të gjithë”, ka thënë Veseli.
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka pohuar se edhe tash, kur ka nisur luftën kundër korrupsionit e nepotizmit, dikush mund të ketë dyshime, por ka shtuar se nuk ka rrugë tjetër përveç se të veprohet dhe qytetarët do të shohin hapa tjerë konkretë.
“Unë jam i vendosur t’i shkoj deri në fund. Kam vizionin tim të qartë”, ka thënë Veseli.
Në agjendën e tij të nisur kundër korrupsionit dhe nepotizmit, Kryeparlamentari Veseli, po ashtu, ka ndërmarrë një iniciativë për krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar që do të hetojë dyshimet për mashtrimet në listat e veteranëve.