Kur do të përfundojë pandemia COVID-19? Dhe si?
Sipas historianëve, pandemitë në rastin tipik kanë dy forma të përmbylljes: mjekësore, gjë që ndodh kur përputhen pjerrësia e lakores dhe bie numri i vdekjeve, dhe shoqërore, kur zbehet epidemia e frikës nga sëmundja.
“Kur njerëzit pyesin: Kur do të marrë fund kjo?, ata në fakt pyesin për fundin social”, ka thënë doktor Jeremy Greene, historian i mjekësisë në universitetin “Johns Hopkins”.
Me fjalë të tjera, fundi mund të mos vijë për shkak se një sëmundje është venitur, por për shkak se njerëzit lodhen nga paniku dhe mësohen të jetojnë me sëmundjen. Allan Brandt, historian i Harvardit, ka thënë se diçka e ngjashme po ndodh edhe me COVID-19-shin: “Sikurse e kemi parë në debatin për hapjen e ekonomisë, shumë pyetje për të ashtuquajturin fund nuk përcaktohen prej të dhënave të shëndetit publik dhe mjekësisë, por prej proceseve sociopolitike”.
Fundet janë “tepër të pështjellta”, ka deklaruar Dora Vargha, historiane në Universitetin e Exeterit. “Nëse kthejmë kokën prapa, kemi një histori. Kush i jep fund epidemisë dhe kush duhet ta thotë?”
Rruga e frikës
Epidemia e frikës mund të vijë edhe pa një epidemi të sëmundjes. Doktor Susan Murry, nga Kolegji Mbretëror i Dublinit, e ka parë me sytë e vet më 2014 kur ishte në një spital rural në Irlandë.
Në muajt paraprakë, më shumë se njëmbëdhjetë mijë persona kishin vdekur në Afrikën Perëndimore nga Ebola, një sëmundje e tmerrshme që kishte shkallë të lartë infektoze dhe shpesh fatale. Epidemia dukej se po merrte teposhtën, dhe asnjë rast nuk ishte në Irlandë, por frika e njerëzve ishte e madhe.