Shoqata e të Verbërve të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të VV’së, Dimal Basha, ku në debatin parlamentar që u diskutua sot për rrymën ai ka përdorur një gjuhë tejet ofenduese ndaj personave të verbër.
“Kryeministri tha unë jam i mirëseardhun për ide kreative, kjo është sikur me lyp prej qorrit sy”, tha deputet Basha.
Daut Tishuki nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, në një prononcim për Periskopin ka dënuar gjuhën fyese të deputetit të VV’së Dimal Basha duke e quajtur si një gjest të ulët nga ana e tij.
“Gjithsesi ne e dënojmë këtë gjuhë, sidomos kur bëhet fjala për deputetë që e përdorin atë terminologji është vërtetë shqetësuese, e dhimbshme. Me të vërtetë kur një deputetë shprehet në atë mënyrë, çka presim ne prej njerëzve të tjerë. Faktikisht ai që përdor kësi lloj terme, bën gjeste të ulëta. Sepse ekziston një terminologji dhe personi që e ka humbur shikimin quhet i verbër e jo me terme të tjera që janë edhe ofenduese”, tha Tishuki.
Ai ka paralajmëruar edhe për një reagim publik ndaj kësaj deklarate.
“Para shumë viteve janë mbajtur tryeza edhe me media për terminologji por kohën e fundit jo. Sepse ka ardhur deri tek një vetëdijesim në shoqëri. Ka pasur edhe në të kaluarën raste të tilla e që ne kemi reaguar menjëherë”, përfundoi Tishuki.
Ndaj kësaj deklarate të deputetit të VV-së, nuk reagoi askush në Kuvend, madje as kryeparlamentari.