“E vërteta do t’ju bëjë të lirë” – u kishte thënë Hazreti Isa hebrenjve sipas shkrimeve të shenjta. Dhe unë po e përsëris: E vërteta do të na bëjë të lirë. Kjo për të vënë premisën kryesore të këtij shkrimi që vjen pas histerisë publike, linçimit publik dhe më pas shkarkimit të këshilltarit politik të Kryeministrit, Shkëlzen Gashit.
Dhe e vërteta është e tëra. Ajo kurrë nuk mund të jetë e pjesshme, ajo është, vetëm kur është e tëra. Këtë ma ka mësuar Glauku përmes librit të tij për Hegelin. Këtë nuk e thash pa arsye. Arsyen pse e thash, do ta mësoni në fund të shkrimit.
Shkëlzen Gashi në emisionin Frontal në T7 pati një intervistë pasi elemente të caktuara brenda prokurorisë dhe policisë tentuan ta intimidojnë përmes një akuze që ende pa u ngritur ra. U nis në mëngjes dhe pa i shkuar drita e ditës, ra në muzgun e mbrëmjes sepse u tërhoq nga Kabineti i Kryeprokurorit.
Çka tha Shkëlzeni dhe pse ajo që tha ai, shkaktoi histeri, jo gjatë dritës së ditës kur u bë intervista në orën 17:00, por tek vonë në mbrëmje kur ishte dashur të mbrohet ajo.
Shkëlzeni tha dy gjëra që janë thelbi i luftës së Kosovës kundër Serbisë. Gjithçka jashta këtij thelbi është e parëndësishme.
Këtu pra është thelbi. Krime ndaj civilëve janë kryer, por si janë kryer ato, është gjëja më me rëndësi e diskutimit. Pra, Serbia, si një tërësi institucionale, me paramendim dhe me plan, ka kryer krime në Kosovë, ndaj shqiptarëve sepse ishin shqiptarë. Në anën tjetër, individë të armatosur shqiptarë, disa që i kanë thënë vetit UÇK, disa qofshin dhe me uniforma të UÇK-së, kanë kryer po ashtu krime ndaj civilëve joshqiptarë, me theks të veçantë ndaj serbëve. Pra, në njërën anë të krimeve ndaj civilëve kemi një shtet, Serbinë, me krejt aparatin e vet institucional dhe në anën tjetër individë hakmarrës ose kriminelë ordinerë që për përfitime meskine janë thirrë në emër të vuajtjeve kombëtare të shqiptarëve për të kryer krime ndaj të pafajshmëve të kombësive tjera.
Pra, për një gjë që është e vërtetë, Shkëlzen Gashi u kryqëzua. Por a ka thënë Shkëlzeni diçka të padëgjuar më parë? Në fakt jo. Edhe salla e madhe e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ka dëgjuar Hashim Thaçin, ish drejtorin politik të UÇK-së duke e thënë një gjë të tillë. Ai thoshte “Sikurse që në të njejtën kohë nuk e konstestoj që ndonjë luftëtar ka devijuar nga fisnikëria e luftës së lirisë.” Tutje, një gjë të tillë e pohon edhe ish komandanti i rajonit të Dukagjinit Ramush Haradinaj, i cili në emisionin e Blendi Fevziut thotë: “Shqiptarët kanë qenë palë e luftës edhe lufta është e dhimshme. Nuk ka krime t’planifikume, krime doktrinë. Edhe n’paqe ndodh dikush me vra dikon ktu n’Tiranë e n’Prishtinë. E thom edhe niherë, mund t’ketë ndodh ni situatë e caktume, por UÇK-ja as ka panifiku, as nuk ka bo krime.” Teksti paraprak nën thonjëza është i Ramush Haradinajt, jo i Shkëlzen Gashit, ndonëse ngjashmëria në substancë është e jashtëzakonshme.
Por a kemi një burim tjetër, më neutral nga akterët që përmendëm, për të na thënë ndonjë informatë më specifike? Kemi. Të gjeturat e organizatave Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kososvë në projektin “Libër Kujtimi i Kosovës” të bërë me një metodologji jashtëzakonisht rigoroze thonë se: nga 1 janari i vitit 1998 deri me 31 dhjetor 2000, në Kosovë kanë humbur jetën dhe/apo janë zhdukur 10093 civilë, nga ta 8645 shqiptarë, 1013 serbë, 262 romë, ashkali dhe egjiptianë, 84 boshnjakë dhe 203 të përkatësive tjera etnike. Këto janë numrat e civilëve të vrarë në Kosovë gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës. Për këto numra është bërë hetimi i Dick Martyt dhe më pas i Clint Williamsonit që rezultuan me Gjykatën Speciale.
Atëherë si ndodhi që për një deklaratë të Shkëlzen Gashit, që ishte thënë edhe më herët edhe nga të tjerët, gjithë ditën pati reagime siç ndodh rëndom kur ngriten këto tema që Gashi i ka ngritur edhe më parë, por histeri masive publike asnjëherë nuk ka pasur? Kalimi nga reagimi i rëndomtë në histeri masive publike ndodhi natën vonë kur në emisionin Debat Plus në Dukagjini TV Glauk Konjufca po pyetej për deklaratat e Shkëlzenit.
Glauku nuk e kishte parë krejt intervistën, por ai e pa një insert që ishte montuar me disa pjesë tjera që kishte thënë Shkëlzeni e që nuk i përmbajnë pjesët që citova unë këtu. Pra, para studiuesit të Hegelit u shfaq një pjesë e së tërës dhe do të pritej që për shkak të formimit të tij filozofik, studiuesi Konjufca të refuzonte të komentonte pa e parë krejt intervistën, sepse e vërteta është e tëra, por jo.
Për korrektësi duhet shpjeguar se Shkëlzeni diku thotë se Dick Marty është mik i shqiptarëve. Për të gjithë ata që e njohin e dijnë se çdo me thënë kjo. Kjo deklaratë që ai e bënë shpesh është e derivuar nga deklarata e ngjashme e Adem Demaçit, biografinë e të cilit e ka shkruar Shkëlzeni, i cili kishte thënë se Millosheviqit duhet t’ia ndërtojmë një përmendore. Në kuptimin që orvatja e tij për të na i hequr të drejtat si krahinë autonome na e solli pavarësinë. Dhe këtë e konfirmon deklarata e Shkëlzenit në emision “Është shumë ma mirë sa ma shpejt me u dënu ata që kanë kry krime dhe me u pastru UÇK-ja prej tyne”. Dhe Glauku që e njeh Shkëlzenin më gjatë se unë, madje që ka shkruar një recenzion për biografinë e Demaçit e cila titullohet “Baca Hegelian”, e di shumë mirë këtë.
Sido që të jetë ai e komentoi pjesën intervistës duke thënë: “Dick Marty kur e vulos atë terminoligjinë që neve na ka dëmtu shumë, mos harroni, qikjo “trafikimi i organeve”: krijohet një task forcë me në krye Clint Williamsonin, PROKURORIN E SHQUAR AMERIKAN, i cili vjen në Kosovë edhe për një kohë të caktuar duhet me i hetu pretendimet e raportit të Dick Martyt. Dhe një gjë që është shumë interesante që nuk e tha zt. Gashi, une nuk e di pse nuk e tha a me qëllim a jo, po keq ka bo që nuk e ka thon dhe spajtohem fare ktu me te, është që raporti i Clint Williamsonit e ka qit Dick Martyn para pergjegjesisë penale. Ai nuk e ka thonë por na takon neve si shtet, sa të pjekur jemi ne. Pse? Clint Williamsoni ka thonë pjesa e parë e raportit te Dick Martyt është gënjeshtër. Është gënjeshtër.”
Momenti kryesor te kjo deklaratë e Glaukut është se Clint Williamson sipas tij e quan “gënjeshtër” raportin e Dick Martyt.
Ta vërtetojmë dhe të shohim çka thotë “prokurori i shquar amerikan”. Ai thotë: “Mund të them se ka indikacione që kjo praktikë [trafikimi i organeve] ka ndodhur, në një shkallë të limituar dhe se një numër i vogël i individëve është vrarë me qëllim të marrjes dhe trafikimit të organeve të tyre. Ky konkluzion është i përputhshëm me atë çka thuhet në Raportin e Dick Martit.” Madje Williamson sqaron se si Dick Marty me qëllim ka përdorur fjalën “handful” (sa zë një dorë) që në anglisht ka kuptimin e më së shumti 10 njësi. Pra të kundërtën e asaj që tha Glauk Konjufca se kishte thënë Clint Williamson.
Pra, pa të vërtetën si të tërë dhe me një sërë gënjeshtrash të pacipa, diku pak para mesnatës filloi histeria masive publike që kulmoi me linçim e kërcënime deri vonë pas mesnatës. Vazhdoi në mëngjes dhe gjithë ditën derisa kryeministri Albin Kurti liroi nga detyra Shkëlzen Gashin. Këtë u detyrua ta bënte për siç tha ai “Disa deklarata të djeshme të tij patën pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e qeverisë në detyrë”. Pra kujt i konvenoi ky shpërqendrim? Kundërshtarëve të kryeministrit dhe partisë së tij. Po kush bëri që ky debat të shpërthejë si shpërtheu? Glauk Konjufca. Kujt i shërbeu Glauku? Kundërshtarëve të vet dhe të kryeministrit. Po pse? Këtë pyetje me gjasë nuk do ta marrim vesh. Këtë mund të na e thotë vetëm ai. Por ajo që mund të them unë është se zelli dhe entuziazmi i papërmbajtur i tij, për të thënë një sërë të pavërtetash në mënyrën më populiste të mundshme, do të kishte ndonjëfar shpjegimi po të ishte drejtuar për kundërshtarët e kryeministrit dhe partisë së tij, por është e pakapshme dhe e pakapërdishme për mua që gjithë këtë e ka bërë kundër dikujt nga radhët e veta, pra këshilltarit të bashkëpunëtorit të tij më me vlerë, kundër shokut të tij të moçëm Shkëlzenit të cilit ia di shumë mirë qëndrimet prej vitesh, në kohën më delikate për Qeverinë aktuale dhe për partinë e vet.