Pa termocentral të ri dhe në rrezik të humbjes së 20 milionë eurove, mund të përfundojë marrëveshja komerciale e Qeverisë së Kosovës me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
I vlerësuar si një nga investimet më të mëdha të huaja në Kosovë në vlerë prej 1.3 miliard euro, ky projekt nuk u finalizua.
Investitori Contour Global përveç që u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në mars të këtij viti, e dërgoi Kosovën edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.
Me datë 24 maj 2020, sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ka qenë e paraparë që të bëhet mbyllja financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”, por kjo nuk është arritur në kohë.
Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.
Nëse zvarritjet e kontratës me Contour Global shkaktoheshin nga Kosova duke mos i përmbushur obligimet, atëherë Qeveria e Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë Contour Global, një vlerë prej 19.7 milionë eurosh.
Ndërsa, nëse Kosova i përfundon obligimet, por Contour Global nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do t’i detyrohet Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh.
Në mars të këtij viti, kompania Contour Global kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.
Në atë kohë në pushtet ishte koalicioni qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ishte shprehur kundër marrëveshjes me Contour Global dhe sipas LVV-së, ky projekt, si i tillë, nuk do të realizohet pasi, kompania në fjalë mund të rrisë çmimin e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike. Ndërsa, Lidhja Demokratike të Kosovës ishte shprehur se do të ndërtojë kapacitete të reja energjetike, por do të refuzojë secilën alternativë investuese që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100 për qind.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar ish-ministren e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, për të parë se çfarë ka ndodhur në kohën kur kompania ishte tërhequr nga projekti.
Ajo në një përgjigje me shkrim thotë se Contour Global ka njoftuar se po tërhiqet nga projekti disa ditë pasi qeveria kishte marrë vendim për themelimin e komitetit drejtues të projektit.
“Ne kemi analizuar kontratat dhe gjendjen e projektit. Kemi diskutuar çështjen në komitetin drejtues dhe me pajtimin e komitetit, kemi ftuar Contour Globalin në takim në lidhje me projektin. Me propozimin tonë, komiteti ka marrë vendim në emër të qeverisë për të angazhuar një ekip të avokatëve të dalluar, që do të këshillonin Republikën e Kosovës lidhur me projektin. Qeveria e tanishme nuk e ka zbatuar vendimin tonë”, thotë Hajdari.
Ajo thotë se projekti në kohën kur ajo ka qenë ministre, ka qenë në fazën e përmbushjes së kushteve paravajtëse dhe se mbyllja financiare ka qenë e paraparë për 24 maj 2020.
Këtë afat, shton ajo, Kosova nuk e ka shkelur, por Contour Global ka dështuar t’i përmbushë detyrimet e veta.
“Më 3 qershor 2020 ne i kemi dërguar letër Contour Globalit. Në këtë letër kemi refuzuar kërkesën e pabazë për pagesë paushalle në lartësi prej mbi 20 milionë euro, kemi shpjeguar pse kontratat me Contour Globalin kanë qenë juridikisht të pavlefshme”, thotë ajo.
Në këtë letër, po ashtu, Hajdari bën të ditur se e kishin paralajmëruar Contour Globalin se Kosova mund t’i kërkojë kompensim të dëmit.
Gjithashtu, në atë kohë, shton Hajdari, kanë marrë vendim për të angazhuar ekipin e avokatëve që do të ndihmonin për të zgjidhur çështjen.
“Kemi shpresuar se me përkushtimin tonë do të gjejmë zgjidhje të favorshme pa pasur nevojë për arbitrazh. Qeveria e tanishme nuk ka dashur zgjidhje në të mirë të Kosovës. Gjithsesi, Kosova duhet t’i kërkojë përgjegjësi Contour Globalit, duke mos kursyer mjetet juridike”, thotë ajo.
Hajdari thotë se në këtë proces Kosova mund të dalë fitimtare nëse këtë çështje ua lë në dorë profesionistëve që mbrojnë të drejtat ligjore dhe interesin publik.
“Politikanët e papërgjegjshëm dhe pazaret politike mund ta dëmtojnë ecurinë, ashtu siç e kanë shkaktuar atë që në fillim”, thotë ajo.
Ndërkaq, ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i ka thënë shkurt Radios Evropa e Lirë se kur ka ndodhur tërheqja e kompanisë Contour Global nuk ka qenë pjesë e qeverisë, por, sipas tij, qeveria është dashur që lidhur me këtë çështje, të konsultohet me këshilltarët ligjorë për të diskutuar për hapat prej muajit mars.
Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në kompaninë Contour Global lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij shkrimi, ajo nuk kanë kthyer përgjigje.
Qeveria e Kosovës tanimë në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit, kanë marrë masa që ky proces në arbitrazhin ndërkombëtar të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Avokati i përgjithshëm shtetëror i Kosovës, Sami Istrefi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se po përgatiten se si do t’i qasen këtij kontesti.
“Kompania në fjalë ka pasur një raport kontraktual me shtetin e Kosovës në të gjitha fazat nga faza fillestare deri te fizibiliteti dhe çështjet tjera. Është e vërtetë që kompania është tërhequr nga ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’. Ne jemi duke analizuar marrëveshjen që shteti i Kosovës ka pasur me këtë kompani dhe pas shqyrtimit të përgjithshëm të këtyre marrëveshjeve ne mund të nxjerrim një konkluzion se cila është kërkesa fillestare e tyre, ku bazohen dhe cilat janë ato elemente për të kundërshtuar këtë padi”, tha Istrefi.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka qenë shteti i Kosovës që nuk ka arritur të përmbushë detyrimet e tij, gjë e cila, sipas tij, ka nxitur edhe largimin e kompanisë nga projekti i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.
Kosova, shton ai, ka dështuar të sigurojë aprovimin përfundimtar nga ana e Kuvendit të Kosovës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
“Njoftimi për tërheqje nga një projekt i tillë ka ndodhur në rrethana kur partitë politike dhe deputetë të kuvendit kanë deklaruara haptas se nuk do të aprovojnë të njëjtën marrëveshje kurdo që ajo të sillet në Kuvendin e Kosovës”, thotë Zeka.
Vlen të theksohet se garancia shtetërore për pakon financiare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, kërkonte 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës.
Kosova, shton Zeka, përtej një dëmi të mundshëm financiar për të cilin mund të detyrohet ta kompensojë, ka humbur mundësinë që të fuqizojë kapacitetet e saj vendore për gjenerim të energjisë elektrike.
“Kur bëhet fjalë për projekte të tilla si Termocentrali ‘Kosova e Re’, duhet të ketë konsensus nacional dhe dinamikë më të shpejtë dhe realizimin e këtyre projekteve që në Kosovë ka munguar”, shton Zeka.
Lajmit për tërheqje të kompanisë Contour Global nga ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” ishte mirëpritur nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsideronin si një projekt të dëmshëm për mjedisin dhe qytetarët.
Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane, Contour Global, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.
Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë.
Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillohet të ndërtohet në këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023.
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.