Si po i furnizojnë me drogë familjarët të burgosurit gjatë vizitave

Prishtinë | 07 Shk 2018 | 13:32 | Nga

Edhe dje, si pothuajse çdo ditë tjetër në Burgun e Dubravës, u tentuan të futen substanca narkotike. Ata që tentojnë të kontrabandojnë drogën brenda burgut janë kryesisht vizitorët, por substanca të tilla shpesh gjenden edhe tek të burgosurit.

Në burgun e sigurisë së lartë në Kosovë, në Dubravë, pothuajse çdo ditë tentohet të futen substanca narkotike nga vizitorët. Mirëpo, të shpeshta janë rastet kur edhe tek personat që po vuajnë dënimin atje, gjenden substanca narkotike.

Zakonisht, lloji i drogës që synohet të futet brenda mureve të burgut apo edhe që gjendet aty, është marihuana.

Për këtë çështje, Gazeta Express ka kontaktuar me drejtorin e përgjithshëm të Qendrave Korrektuese në Kosovë, Sokol Zogajn, i cili ka thënë se ka raste kur vetë familjarët e të të burgosurve po tentojnë t’i fusin substancat narkotike brenda burgut të Dubravës, mirëpo, sipas tij, kryesisht këto raste po arrijnë të parandalohen nga sigurimi i atij pavijoni.

“Kemi raste kur familjarët tentojnë të fusin narkotikë, por kryesisht këto po parandalohen nga stafi i shërbimit korrektues që janë në pavijonin e vizitave. Familjarët po i fshehin narkotikët, por stafi është i trajnuar se po arrijnë t’i kapin”, tha Zogaj për Express.

Ai tregoi se menjëherë pas identifikimit të rasteve, lajmërohet policia, saktësisht njësiti i anti-drogës.

Kurse, sa i përket gjetjes së substancave narkotike brenda burgut tek të burgosurit, Zogaj tha se ka raste kur përmes vizitave po hyjnë ato substanca, por edhe ato raste po kapen e parandalohen.

“Kjo dukuri ka arritur në minimale, falë angazhimit të sigurimit dhe bashkëpunimit me policinë”., tha drejtori i përgjithshëm i SHKK’së.

Gazeta Express ka mbledhur rastet e fundit të tentim-futjes së substancave narkotike në Burgun e Dubravës, kryesisht lloji i drogës marihuanë.

Më 6 shkurt, rreth orës 10:40, policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një vizitore e një të burgosuri, pasi tek e njëjta gjatë kontrollit i janë gjetur në posedim 0.4 gram substancë narkotike, e llojit marihuanë.

Raste të shumta ka edhe kur vetë familjarët e të burgosurve, tentojnë të fusin substanca narkotike brenda burgut, siç është edhe ky rast që ka ndodhur me 28 janar të këtij viti.

Gjatë kontrollit të vizitorëve në Qendrën Korrektuese të Dubravës, te familjarët e të burgosurit H.H, policia ka gjetur 40 gram substancë narkotike.

Të tre familjarët e të burgosurit, qendra ka njoftuar se janë shoqëruar në stacionin policor në Istog.

Më 18 janar, sërish në Dubravë, janë kapur 76 gram substancë narkotike e llojit marihuanë. Kjo substancë është tentuar të futet brenda burgut nga vizitori A.A.

Për këtë rast, është njoftuar menjëherë njësia policore e anti-drogës dhe rasti është në procedurë të mëtutjeshme.

Edhe më 17 janar, në po të njëjtin vend, disa familjarë të të burgosurit D.I, kanë tentuar të fusin 65 gram marihuanë. Në po të njëjtën ditë, edhe familjarët e të burgosurit tjetër L.B, kanë tentuar t’ia dërgojnë atij brenda burgut një sasi prej 45 gramëve marihuanë.

Për të dyja rastet janë njoftuar njësiti i anti-drogës.

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar, policia ka arritur të identifikojë se tek dy të dyshuar, që tashmë po vuajnë dënimin në Burgun e Dubravës, është gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë narkotike e llojit marihuanë.

Kurse nga datat 26 shtator deri më 11 dhjetor të vitit të kaluar, në këtë burg, në 10 lokacione të ndryshme janë konfiskuar 17.80 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

Vizitat për të dënuar zhvillohen çdo ditë të javës dhe në vizitë, sipas rregullores së burgut, në vizitë lejohen 4 persona të rritur si dhe fëmijët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme