Komunikuesit e mirë e dinë se si t’i përgjigjen pyetjeve në lidhje me produktet dhe vizionin e kompanisë së tyre. Ata janë të sigurt dhe precizë. Dhe ka pak udhëheqës që e bëjnë këtë më mirë se CEO i Apple, Tim Cook.
Nëse jeni sipërmarrës, pronar i një biznesi të vogël ose një korporate të madhe, shumica e njerëzve nuk kanë të njëjtin botëkuptim për kompaninë tuaj sikur ju. Ju keni një njohuri të thellë dhe unike për vizionin e kompanisë, tregun dhe klientin. Kontrollimi i një bisede për të qartësuar misionin e kompanisë tuaj është një aftësi e vlefshme që duhet ndërtuar.
Ja si ia bën Tim Cook.
Kur Apple publikoi raportin e saj të fundit tremujor, ai tregoi se fitimet kishin rënë, ashtu si edhe të ardhurat e iPhone. Lajm i keq? Jo domosdoshmërisht. Aksionet e kompanisë u ngritën menjëherë pasi Cook ofroi një shpjegim të qartë për një pasqyrë më të gjerë dhe më pozitive. Falë rritjes së dyfishtë nga App Store, Apple Music dhe prej shërbimeve të tjera, Apple gjeneroi 11.5 miliardë dollarë.
Cook arriti të shpjegojë vizionin afatgjatë të kompanisë duke e kontrollouar bisedën me këto fjalë.
“Mënyra se si e shoh unë…”
Për shembull, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me ngadalësimin e shitjeve të iPhone, Cook theksoi faktin që modelet e iPhone gjeneruan 26 miliardë dollarë në shitje – një numër i madh për një tremujor.
“Mënyra se si e shoh unë,” filloi Cook, “kemi pasur portofolin më të fortë të harduerit ndonjëherë. Ne kemi produkte të reja që do të dalin në treg. Ne jemi me fat dhe kemi punuar shumë që të kemi konsumatorë besnikë.”
Cook kishte stabilizuar aksionet e Apple në një intervistë me CNBC
Në fillim të këtij viti, Apple ishte përsëri në disavantazh për thashethemet që biznesi i iPhone në Kinë po ballafaqohej me probleme. Në një intervistë me Jim Cramer në CNBC, Cook mori kontrollin e narracionit me fjalët e tij të para.
“Më lejoni t’ju tregoj mënyrën se si e shikoj unë”, filloi Cook. “Ne e menaxhojmë kompaninë për termin afatgjatë. Gjërat më të rëndësishme në Apple janë, një, kultura e inovacionit. Së dyti, ne kemi një bazë shumë të madhe aktive të instaluar [të pajisjeve Apple], dhe së treti, ne jemi kompani që kemi konsumatorët më të kënaqur dhe më besnik në këtë industri”.
Cook më pas sqaroi qartë dhe në mënyrë të përmbledhur sesi kombinimi i këtyre tre faktorëve çon në një rrjedhë të përsëritur të të ardhurave dhe klientëve besnikë. Dhe aksionet definitivisht u stabilizuan pas intervistës së Cook.
Cook shpesh përdor pak fjalë në mënyra të ndryshme për të kontrolluar narracionin. Në vend të “mënyrës se si e shoh unë”, Cook ndonjëherë thotë: “Për ta vënë këtë në perspektivë” ose “Të nxjerrim kontekstin e kësaj”.
Sqaroni, mos mashtroni
Kontrollimi i bisedës nuk do të thotë të mashtrosh një audiencë me informacione që nuk janë të vërteta. Është thjesht një mënyrë për të ndihmuar dëgjuesit tuaj të kuptojnë më mirë një vizion që ata nuk mund ta kuptojnë plotësisht. Cook nuk mund ta përballojë të humbasë besimin e audiencës së tij. Informacioni që ai ofron është i saktë, por shpesh keqkuptohet nga njerëzit që nuk e kuptojnë aq sa duhet vizionin afatgjatë të kompanisë.
Komunikuesit efektivë mbështeten në këtë teknikë të avancuar të të folurit për të shpjeguar çështjet komplekse. Do të funksionojë edhe për ju. Qartësojeni vizionin e kompanisë tuaj duke filluar bisedën me këto fjalë: Ja si e shoh unë.