Si ta përdorni kumbullën për sëmundjet e mëlçisë dhe kallot

Prishtinë | 10 Pri 2019 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Fruti i kumbullës ka shije të athët, por të këndshme. Ai ka mjaft vlera kalorike (rreth 50 kalori, në 100 gr kumbulla), vitaminë A, B1, B2, C, PP, kripëra minerale të kalciumit, kaliumit, hekurit e magnezit, 8-20% sheqer në trajtë fruktoze, acide, pektinë etj.

Për aftësitë kuruese, përdoren frutat, bërthamat dhe gjethet e kumbullës. Frutat e kumbullës konsumohen të freskëta ose të përpunuara në trajtë kompostoje, reçeli, marmalade, shurupi të këndshëm etj. Ato janë freskuese, treten lehtë, rrisin oreksin, luftojnë kapsllëkun, sëmundjet e mëlçisë, veshkave, artritit, aneminë, hemorroidet etj.

Sigurojnë një jashtëqitje të rregullt dhe për këtë qëllim këshillohen të përdoren shpesh.

Luftimi i parazitëve në zorrë

Për të pasur rezultate sa më të mira, merren 15-30 gr bërthama kumbulle dhe shtypen. Ato përzihen me 20 gr sheqer dhe hahen në mëngjes esëll, duke e vazhduar kurën për disa ditë rresht.

Sëmundjet e mëlçisë

Kura fillohet me gjysmë kg kumbulla të pjekura mirë, në ditën e parë, duke shtuar nga 200 gr çdo ditë, derisa të arrijnë dy kg në ditë. vazhdohet për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Gjethet e kumbullës përdoren edhe kundër puçrrave të lëkurës. Për këtë, merret një grusht gjethe kumbulle dhe zihet në një litër ujë, derisa të shterojë përgjysmë. Me lëngun e fituar pastrohen puçrrat, 2-3 herë në ditë, derisa të zhduket acarimi i tyre.

Pastrimi i zorrëve

Që të eliminohet sheqeri dhe thartira prej kumbullave, merren 60 kokrra kumbulla të thara, çahen për së gjati dhe hidhen në 1 litër ujë, ku qëndrojnë tërë natën për tu regjur.

Në mëngjes, nxirren nga uji dhe vendosen në ujë tjetër, ku ziejnë për 2-3 orë. Çdo gjysmë ore i derdhet uji dhe i shtohet ujë i pastër e i vakët, derisa uji i kumbullave të duket i kthjellët.

Kumbullat konsumohen nga 10 kokrra për çdo ditë, para ushqimit, kurse lëngu nuk përdoret. Ky ilaç është treguar shumë i mirë edhe kundër kapsllëkut.

Kurimi i kallove

Merret 1 kokërr kumbull e tharë dhe çahet përgjysmë. Njërën pjesë e vendosim mbi kallo, e përforcojmë me garzë dhe e lëmë të qëndrojë aty. Deri në mëngjes. Terapia përsëritet derisa të eliminohet kalloja. Në mungesë të kumbullës, mund të përdoret një thelë limoni, kurse procedura mbetet e njëjtë. /mapo.al

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme