Ekspertët e CV ju këshillojnë të bëni disa hapa të thjeshtë për të eliminuar gabimet nga CV juaj, duke theksuar që nuk duhet t’u besoni programeve për korrigjimin e gabimeve ortografike dhe ta lexoni CV me zë të lartë përpara se ta nisni.
Për shumë punëdhënës, gabimet ortografike në CV-në e një kandidati potencial janë një arsye e mjaftueshme për të mos vijuar përzgjedhjen. Edhe nëse CV juaj do të bënte përshtypje të mirë, një gabim i madh në të mund të përfaqësojë një pengesë mes jush dhe punës që keni ëndërruar gjithnjë.
Dy ekspertë CV, Dana Leavy-Detrick nga Brooklyn Resume Studio dhe Jared Redick nga Résumé Studio në San Francisko, ju këshillojë se çfarë nuk duhet të bëni, për të shmangur rrezikun e gabimeve të këtij lloji në CV tuaj.
“Në një pikë të caktuar, të gjithë ne ramë dakord që edhe një gabim i vetëm ishte një arsye e mirë për të mos e marrë në konsideratë një CV të strukturuar mirë” – tha eksperti Detrick. “Në CV tuaj nuk duhet të ketë gabime drejtshkrimore, gabime datash që shënojnë përvojën tuaj në kompanitë ku keni punuar, gënjeshtra apo gabime banale”.
Ja se çfarë mund të bëni për të shmangur gabimet tuaja.
- Mos u besoni programeve për korrigjimin e gabimeve. Programet për korrigjimin e gabimeve dhe instrumente të tjera të ngjashme mund t’i vijnë në ndihmë një kandidati që ka probleme me të shkruarin, por nuk zgjidhin të gjitha problemet”, thotë Redick. Eksperti këshillon që ju ta korrigjoni CV tuaj dhe nëse është e nevojshme t’i kërkoni ndihmë një miku të besuar që t’i hedhë një sy, para se ta nisni atë.
- Zgjidhni një stil dhe ruajeni atë në të gjithë CV.
Çdokush ka stilin e tij të të shkruarit, thotë Redick. Ruani njëtrajtshmërinë në CV tuaj. Një tjetër çështje me të cilën duhet të përballeni është nëse duhet t’i shkruani shifrat nga 1 tek 10 me numër apo me fjalë. “Një CV është si një dokument formal, si një instrument marketingu, kështu që duhet të bëni një zgjedhje. Gjithçka do të shkojë mirë nëse ju i qëndroni besnik zgjidhjes suaj në të gjithë CV”.
- Para se të nisni CV shkëputuni prej saj dhe rishikojeni më vonë. “Ju duhet ta rishikoni CV të paktën dy herë. Por para se ta nisni CV, bëni një pushim, shkëputuni prej saj dhe shikojeni të jeni më të kthjellët”, deklaron Leavy-Detrick. “Kur përfundoj një dokument, shkëputem prej tij për pak kohë qëllimisht, për të krijuar një distancë mes meje dhe tij. Kur i kthehem jam më produktiv në korrigjimin e gabimeve, që nuk do t’i kisha vënë re nëse nuk do të isha shkëputur prej saj për pak kohë”.
- Printojeni CV dhe lexojeni me zë të lartë. “Një ndër mënyrat më të mira që kam zbuluar për të korrigjuar një CV është printimi i saj dhe leximi me zë të lartë, duke qëndruar më këmbë”, thotë Redick. “Më ndihmon të gjej gabime në ritëm, gabime të vogla por edhe në stil që ndryshe nuk do të mund t’i shihja”. “CV është përshtypja e parë dhe për këtë arsye duhet ta nisni me këmbë të mbarë”, tha Leavy-Detrick.