Teknikat e psikologjisë pozitive dhe të zhvillimit personal na ndihmojnë të gjejmë një gjendje pozitive të shpirtit. Ja disa ushtrime për organizimin e një dite të zakonshme
Një filozof thotë: “Nëse pesimizmi është i lidhur me humorin, optimizmi ka të bëjë me vullnetin”, e thënë ndryshe: nëse emocionet negative dhe shikimi i së ardhmes nën një dritë gri duken si diçka spontane, optimizmi është fryt i një pune të palodhshme me veten.
Më poshtë janë renditur disa ushtrime të marra nga teknika “selfhelp” (termi anglez për “zhvillimin personal”), për të integruar mënyra optimiste të menduari, për të cilat duhet kohë dhe kurajë që t’i përvetësojmë për një jetë sa më pak stresante.
Ora 7:00 e mëngjesit (minutat e para të zgjimit)
Jeni të zhytur në ndjenjën e përgjumjes dhe hutimit. Ora me zile, për neurofiziologjistët që janë specialistë të procesit të gjumit, është një moment i “depërtueshmërisë” së madhe. Mendimet e mira që ne kemi në momentin që zgjohemi janë esenciale.
Në vend që të përqendroheni, teksa zgjoheni, në pengesat apo punët e ndryshme që ju presin gjatë ditës, përqendrohuni në ngjarjen më të bukur të ditës si p.sh (një drekë me një mik/e, një kurs vallëzimi, këngë… etj).
Qëndroni në krevat për të menduar dhe shijuar ndjesitë e mira që ju sjellin këto ngjarje ditore. Kështu, ju do ta filloni ditën me një gjendje të mirë psikologjike.
Ora 10:00 e paradites (në zyrë)
Është momenti kur do të përballeni me situata delikate. Për të shmangur stresin, praktikimi i teknikës së vizualizimit pozitiv ju mundëson skenën përpara se ajo të ndodhë. Futuni diku ku të jeni vetëm dhe mbyllini sytë. Në “ekranin tuaj mendor” imagjinoni skenën më të keqe të mundshme. Imagjinojeni atë në një kornizë të vogël blu të errët me shumë detaje. A po qani? A jeni të nevrikosur?
Të prezantosh këtë ngjarje negative të lejon të transmetosh dhe të rifokusosh ndjesinë e stresit dhe ankthit. Menjëherë, thoni këtë frazë: “Nuk është kjo ajo që dua”. Kjo do ju qartësojë dëshirën tuaj. Më pas, fshijeni këtë imazh. Pas një pushimi të vogël, shikojeni skenën në mënyrë pozitive. Imagjinoni sikur ajo ndodh në mënyrë ideale, në një vend të madh të bardhë e të shndritshëm. Me zë të lartë, thoni: “Kjo gjë do të ndodhë padyshim kështu”. Kjo teknikë na lejon të zhvillojmë dëshirat tona në mënyrë më të thellë brenda nesh.
Ora 13:00 (në pushimin e drekës)
Ju ndiheni të lodhur dhe me shumë ide. Para drekës, bëni 20 minuta shëtitje. Ecni me siguri, jo shumë shpejt, por as shumë ngadalë. Merrni frymë thellë dhe ngadalë, duke tendosur diafragmën tuaj. Kështu ju mund të çlironi tensionet tuaja të brendshme. Më pas, duke ecur, shikoni rreth e përqark në detaje, sikur po e zbuloni natyrën.
Imagjinoni sikur po vizitoni një muze apo një vend të huaj. Pak e nga pak, qetësia do t’ju mbizotërojë, shkruan revista Psikologji. Vlerësoni ngjyrën e pemëve, barin apo gjethet e rëna përdhe.
Ora 16:00 (një takim i rëndësishëm)
Nata po vjen dhe ju ndjeni se kudo ka dëshpërim. Mos tentoni ta shmangni atë, por përpiquni të bëni lojën e “sikur”. Sikur ju të ishit e gëzuar, e kënaqur nga jeta juaj. Kujtoni dikë që për ju është i gëzueshëm dhe që ju jep ndjenja frymëzimi e optimizmi. Mendoni për 5 minuta sikur jeni ky person: qeshni shumë, hapni sytë, mbani kokën lart e do ndiheni të sigurt që jeni mbështetur me shpatullat tuaja në një jastëk me ajër.
Perceptoni në kokën tuaj një gjendje që ju e pëlqeni, që ju bën të ndiheni e lehtësuar. Ndjenjat e nervozizmit mund të zëvendësohen shumë shpejt nga ndjesi optimizmi, të cilat do t’ju shoqërojnë në takimin tuaj të punës. E pandërgjegjshmja jonë është me të vërtetë në gjendje të influencojë gjendjen tonë psikologjike.
Ora 18:00 (në trafik)
Jeni e stresuar. Makinat para jush nuk ecin, ka shumë trafik. “Kjo ka për të zgjatur pa frikë 3 orë!”. “Fëmijët janë vetëm në shtëpi!”, “Darka nuk është gati!”. Ndjeni se po vloni së brendshmi. Eshtë një reagim tipik i stresit, i përqendruar në idenë që e keqja do të vijë. Ju mund ta kontrolloni këtë ndjenjë duke u përpjekur të mendoni në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Rruga do të lirohet dhe do të arrij në kohë në shtëpi”. Më pas mendoni midis idesë pesimiste dhe pozitive, duke arsyetuar se mund të ndodhë edhe kështu: “Mund të arrij vonë në shtëpi, fëmijët po më presin me qetësi dhe do të përgatis një darkë të shpejtë”. Kjo mënyrë të parit të jetës nuk është më pak realiste se ajo e një njeriu të stresuar me ndjenja të vazhdueshme pesimiste.
Ora 21:00 (në shtëpi, mbi divanin tuaj)
Dyshoni tek vetja. Mendoni se “nuk keni bërë asgjë” gjatë ditës. Po sikur të bëni një bilanc të gjërave që keni përmbushur në (familje, punë, shoqëri etj.)? Evidentoni ngjarjet e gëzueshme, momentet kur keni përballuar vështirësi, kur jeni ndier krenare për veten. Kujtoni aftësitë dhe cilësitë që keni zhvilluar në vetvete.
Për specialistët e psikologjisë pozitive që kanë studiuar fuqinë e kësaj ndjenje “mirënjohjeje”, vlerësoni për atë që jeni. Përqendroni mendjen në atë që është e “plotë dhe e qartë” dhe jo “në gjëra boshe”. Duke njohur vetveten dhe vlerësuar ato gjëra që keni arritur, ju do të mundësoni dinamizmin e së ardhmes suaj me më shumë siguri, transmeton telegraf.