“Nuk vlej për asgjë”, “Jeta ime nuk ka kuptim”, “Jam i padobishëm”, “Më mirë të vdes sesa të jetoj kështu”, “Gjithçka shkon keq”, “Asgjë nuk mund të ndryshojë”…
Të gjithëve, pak a shumë, u ka ndodhur që në momente të tilla të pushtohen nga mendime të ngjashme në mendje dhe zemër, duke nxjerrë nga goja vetëm fjalë të këqija për veten dhe të tjerët, mendime të zeza që si magnet i fuqishëm tërheqin njëmijë të tjera, njëra pas tjetrës, në një vorbull të çmendur që shkarkon energjitë, rëndon shpirtin dhe akoma më shqetësuese, ju bën të përqendroheni vetëm tek vetja tuaj.
Bota nuk ekziston, njerëzit përreth jush humbasin rëndësinë, ekzistoni ju dhe pafuqia juaj, ju dhe gjërat që nuk funksionojnë siç duhet, ju dhe zemra që ju rreh fort, ju dhe ankthi juaj, ju dhe palumturia juaj.
Që në moshë të re ne i perceptojmë këto emocione dhe, në rastet më fatlume, mësojmë të jetojmë dhe t’i menaxhojmë ato, në rastet më pak fatlume, i tërheqim dhe, ndonjëherë, i zmadhojmë me kalimin e kohës. Duke pranuar faktin se është e pamundur të mos kemi mendime negative dhe se mendja jonë është pak a shumë si një majmun i vogël që shkon nga një mendim te tjetri pa u ndalur, të përpiqemi të kuptojmë se si të shpëtojmë nga mendimet dhe shqetësimet që shpesh janë të padobishme dhe të dëmshme.
Psikologia gjermane Stefanie Stahl na vjen në ndihmë me librin e saj ‘Kush e fiku dritën?’ në të cilat ajo jep disa shembuj dhe na ofron ushtrime për të çliruar veten nga mendimet negative, shërimin e “fëmijës tonë të brendshëm” dhe forcimin e vetëvlerësimit.
Mendimet negative
Pak ngjarje pakënaqësie mund të lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjen tonë. Në fakt, jemi të predispozuar gjenetikisht për t’i kushtuar më shumë vëmendje përvojave negative sesa atyre pozitive. Motivi është i thjeshtë: për mbijetesë.
Është më e rëndësishme të jesh vigjilent ndaj rreziqeve sesa për gjërat që shkojnë mirë. Nëse arsyetojmë, kjo ide nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Një njeri primitiv duhej ta njihte rrezikun e një bishe të egër që i afrohej, një bimë helmuese nga një e padëmshme dhe kështu me radhë, sepse kështu vjen jeta. Tani nuk jetojmë më të ekspozuar ndaj rreziqeve të kësaj natyre, por truri jonë ruan pjesërisht atë instinkt fillestar dhe duhet ta kujtojmë kur mendojmë se ‘gjithçka’ shkon keq.
Një ushtrim për të forcuar mendimet pozitive
Në momentin kur kuptojmë se kjo është natyra jonë si qenie njerëzore, mund të përvetësojmë menjëherë një ‘kundërvlerë’ për të bërë përshtypje në mendjen tonë edhe gjithçka që na ndodh si pozitive. Një ushtrim i mirë është të mbash një lloj ditari mirënjohjeje. Çdo mbrëmje, para se të flini, mund të rishikojmë ditën, të kujtojmë të paktën 3 gjëra pozitive që na kanë ndodhur dhe të jemi mirënjohës duke i shkruar ato në fletore. Përmes këtij procesi, truri kujton atë që shkruan më mirë sesa mendon. Për më tepër, duke e përsëritur vazhdimisht këtë ushtrim, mendja jonë do të jetë gjithnjë e më e predispozuar për të kujtuar bukurinë që i ndodh asaj çdo ditë dhe, nëse në fillim gjejmë 3 gjëra për të cilat jemi mirënjohës, mund të mos jetë gjithmonë e lehtë, por pak nga pak do të bëhet gjithnjë e më shumë dhe ne do të ndjehemi më të kënaqur dhe më pak pre e mendimeve dhe e ankthit negativ.
Parandalimi është më i mirë sesa kurimi
Disa njerëz duket se janë më pak të prirur ndaj mendimeve negative ose, në çdo rast, duket se i menaxhojnë më mirë disa situata, madje edhe ato më të vështirat që jeta u ofron. Si është e mundur? Përfshirja e disa zakoneve të mira në stilin e jetës ndikon pozitivisht në mendimet tona, dhe kjo është e vërtetuar shkencërisht. Ushtrimi i parë për të eksperimentuar është ai i përshkruar më lart, domethënë mbajtja e një ditari për gjërat pozitive që na ndodhin çdo ditë dhe për të cilat ia vlen të falënderojmë. Përveç kësaj, për të parandaluar negativitetin, mund të përpiqemi të:
Bëni disa aktivitete fizike çdo ditë
Lëvizja është e mirë për trupin dhe mendjen.
Meditoni
Nëse nuk e keni provuar kurrë, thjesht filloni të përqendroheni në frymën tuaj për 1 minutë.
Merrni kohë për veten tuaj
Mësoni të argëtoheni, të shoqëroheni me njerëzit argëtues, të praktikoni një hobi ose të mësoni një stil të ri vallëzimi.