Është mëse evidente se divorci nuk kalohet lehtë dhe pa pasoja, sidomos te fëmijët. Megjithatë, psikologët këshillojnë të investohen energjitë emocionale për të vëzhguar efektet anësore që shkakton konflikti.
Në momentet që të dy prindërit marrin vendimin për t’u divorcuar, nuk duhet ta lënë fëmijën në dyshime për situatën e krijuar përreth tij. Duhet t’i thuhet për atë se çfarë po ndodh, shpjegimet duhet të jenë sa më të qarta që të jetë e mundur, të thjeshta, konkrete dhe të përshtatshme për moshën që kanë. Veçanërisht të miturit, për ata nuk është e nevojshme t’i dinë të gjitha detajet teknike dhe ligjore. Për më tepër, ata duhet të qetësohen për pasojat praktike që ndarja do të sjellë në jetën e tyre të përditshme. Duhet t’u thuhet ku do të jetojnë, sa kohë do të kalojnë me secilin prind dhe nëse në shtëpinë e re do të kenë dhomën e tyre.
Mbi të gjitha, fëmijët duhet të sigurohen se ajo që po ndodh nuk është për faj të tyre, nuk duhet të ndihen përgjegjës për vendimin e të rriturve dhe për më tepër duhet të sigurohet se mami dhe babi do të vazhdojnë t’i duan po njësoj.
Fëmijët duhet të ndihen të lirë për të ndjerë të njëjtën dashuri për të dy prindërit në të njëjtën kohë. Nuk duhet të vihen në pozita për të mbajtur qëndrim se cilën anë do të mbajnë, me kë dhe kundra kujt. Fjalët dhe sjelljet kanë një peshë të madhe përballë fëmijës. Prindërit nuk duhet ta kritikojnë kurrë njëri-tjetrin në mënyrë fyese dhe të rëndë dhe aq më pak, të bëjnë komente apo aludime për lidhje të mundshme jashtëmartesore.
Çdo fëmijë reagon në mënyrën e tij përballë lajmit të divorcit të prindërve, në varësi të moshës, të karakterit dhe personalitetit. Trishtimi i fillimit është i përbashkët për të gjithë, mund të shoqërohet nga një inat, zemërim ose një lloj apatie që nuk zgjon asnjë lloj emocioni. Fëmijë të tjerë transformohen në fëmijë perfekt për të shpëtuar situatën familjare në njëfarë mënyre.
Të qëndrosh pranë fëmijëve në momentet e divorcit për të minimizuar pasojat, nuk do të thotë t’i llastosh deri në atë pikë sa të dalin jashtë kontrollit. Shumë prindër e bëjnë gabim këtë, pasi ndjenja e fajit është pothuaj e paevitueshme. Por kjo nuk duhet të jetë një justifikim për të mos i disiplinuar në mënyrën e duhur. Fëmijët nuk duhet të lihen të lirë për të bërë atë që duan, ata gjithmonë kanë nevojë për kufij.
Prindërit nuk duhet t’u shprehin fëmijëve mërzinë dhe dhembjen e tyre në mënyrë intensive dhe të dëshpëruar. Është normale që divorci të mbart me vete, në mënyrë të pashmangshme emocione të forta, që shpesh janë të vështira të kontrollohen. Por fëmijët nuk do të ishin në gjendje të kuptonin përse prindërit po sillen në këtë mënyrë dhe do të trembeshin shumë.
Ata nuk duhet të udhëhiqen nga gjendja e tyre shpirtërore, por të venë në plan të parë kërkesat dhe nevojat e fëmijës. Duhet të reagojnë në mënyrën e duhur ndaj inatit dhe zënkave, dhe të përpiqen ta vënë veten në pozitat e fëmijëve. Për të kuptuar atë që ata ndiejnë dhe kanë frikë ta shprehin hapur.
Prindërit duhet të jenë në gjendje që të kenë një marrëdhënie bashkëpunuese ndërmjet tyre, dhe t’i japin njëri- tjetrit respektin e bashkëpunimit. Sepse në fakt, ata janë partner në një sipërmarrje siç është ajo e të qenit prind, dhe duhet të vazhdojnë misionin e tyre të prindërimit për të rritur fëmijën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ndonjëherë, pas divorcit, prindërit rindërtojnë një jetë të re sentimentale. Formojnë një familje të re, por në mënyrë që kjo të përjetohet normalisht nga fëmijët ky tranzit duhet të ndodh ngadalë, dhe me ritmin e duhur.
Të vazhdosh jetën me qetësin e duhur është thelbësore, si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët. Atyre duhet t’u jepet koha e mjaftueshme për të pranuar të shohin nënën ose babain me një partner të ri. Për më tepër për të pranuar idenë se po ky person mundet që herët a vonë të marrë një rol ‘prindëror’.
Çfarë është më e rëndësishmja nuk është divorci në vetvete që shkakton pasoja të rënda, më tepër sesa mënyra se si menaxhohet situata në momente kritike.
Në fund të fundit duhet të kujtojmë se, fëmija nuk është objekt manipulimi nga ana e prindërve. Është një qenie e mëvetësishme me të drejta të plota. Duke pasur parasysh këtë gjë, prindërit do të jenë në gjendje të zgjedhin dhe të përdorin mënyrat e duhura të prindërimit. Marrja pjesë në rritjen e fëmijës nga ana e prindit që nuk është banues i përhershëm me fëmijën, kujdestari të negociuar dhe konflikte sa më të pakta, do të ishin zgjidhja ideale për të minimizuar pasojat.
Prindërimi efikas përfshin mbështetje emocionale, monitorim të aktiviteteve të fëmijës, disiplinim në mënyrë autoritare dhe pritshmëri të përshtatshme për moshën që ka fëmija. Fatmirësisht vizitat e baballarëve janë rritur dhjetëvjeçarët e fundit. Megjithëse kërkimet kanë vërtetuar se nuk ka ndonjë lidhje direkte ndërmjet shpeshtësisë së vizitave të figurës së babait dhe zhvillimit të fëmijës, sërish ato mbeten një element i rëndësishëm për ta bërë fëmijën të ndihet i dëshiruar dhe i sigurt, për të pasur një zhvillim normal dhe të shëndetshëm në prani të të dy prindërve, koha cilësore për fëmijët është ajo më e rëndësishmja dhe më e domosdoshmja.
(Autorja është psikologe këshillimi/terapiste)