Si do të njihen vitet e punës para vitit 94

Prishtinë | 08 Kor 2016 | 08:37 | Nga

Punonjësit e ish-ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtarët e kooperativave bujqësore nuk do t’i drejtohen më gjykatave për vitet e punës, për të cilat nuk kanë dokumente të rregullta e që nuk i njihen për efekt pensioni.

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin, i cili tashmë ia lë këtë kompetencë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke lehtësuar procedurën për vitet e dokumentuara me laps apo regjistra të dëmtuar. Vendimi pritet të zgjidhë problemet për vitet e punës para datës 1 janar 1994. Sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore, të gjitha periudhat e punës së para 1 janarit 1994, njihen për efekt të llogaritjes së pensionit kundrejt dokumentacionit, libreza pune, regjistra, etj, kur këto dokumente janë të rregullta, të padëmtuara, të plotësuara sipas përcaktimeve të ligjeve të kohës.

Por gjatë periudhës së tranzicionit, shumë prej këtyre dokumenteve janë dëmtuar, disa me qëllim, disa nga trajtimi në kushte jo të përshtatshme, janë djegur, janë bërë të palexueshme etj. Në këto kushte sigurimet shoqërore nuk mund t’i njihnin këto periudha, duke i orientuar drejt gjykatës, e cila ishte e vetmja që mund të njihte periudhat e punës.

Tashmë këto dokumente janë marrë në ruajtje nga ISSH dhe në arkivin e saj po punohet për digjitalizimin e sistemit. Gjatë këtij procesi janë evidentuar probleme të tilla si: Regjistra të shkruara me laps, gjeneralitete të deformuara, emra të shkurtuar, ndryshime të mbiemrave, fletë regjistri të dëmtuara, dokumentacion i djegur apo i zhdukur e për pasojë i pa dorëzuar në arkivat shtetërore që nga viti 1992- 1993 etj.

Kjo ka sjellë rritje të numrit të proceseve gjyqësore, të cilat edhe pse fitohen në shkallë të parë, përsëri nga strukturat e sigurimeve shoqërore kalojnë në proces apelimi të detyruara nga ligji.

Përmes këtij vendimi të ri krijohen strukturat përgjegjëse të verifikimit dhe vërtetimit të periudhave të sigurimit dhe masave të tjera ligjore, pa qenë e nevojshme t’i drejtohesh gjykatës.

“Gazeta Shqiptare” riboton sot pas kërkesave të lexuesve pikat më të rëndësishme të vendimit të qeverisë, ku përcaktohen procedurat që do të ndiqen për njohjen e këtyre viteve për efekt pensioni.

Sipas tij, të interesuarit do t’i drejtohen gjykatës vetëm në rastet kur nga strukturat e sigurimeve shoqërore nuk gjendet mundësia për të provuar saktësinë e të dhënave në mënyrë indirekte me dokumente të tjera administrative.

“Në rastet kur dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit, janë të djegura ose janë bërë të papërdorshme për shkak të kushteve të papërshtatshme të ruajtjes, vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit bëhet vetëm në gjykatë.

Për të gjitha rastet kur strukturat e sigurimeve shoqërore nuk kanë argumente apo prova dokumentare të veçanta që të vërtetojnë të kundërtën e përcaktimeve në vendimet e gjykatave të shkallës së parë, vendimet e tyre nuk apelohen dhe vjetërsia në punë, e dokumentuar në këto vendime, është e vlefshme për caktimin e pensioneve.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore merr të gjitha masat, që, brenda 6 muajve nga data e këtij vendimi, të skanojë dhe të evidentojë në një bazë të dhënash të veçantë të gjitha periudhat e sigurimit të evidentuara me laps, si dhe certifikimin me komision të për mbajtjes së tyre”, thuhet në vendimin e qeverisë./Gazeta Shqiptare/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme