Të kesh oferta të shumta pune është një gjë fantastike sepse të jepet mundësia për të zgjedhur më të mirën e mundshme. Por, shpeshherë një fakt i tillë mund të shndërrohet në diçka vërtet stresuese.
Ju doni të siguroheni se zgjedhja që do të bëni do të jetë më e mira për ju. Lodhja dhe stresi bëhen gjithnjë e më prezente sepse një vendim i tillë nuk është aspak i lehtë. Është shumë e lehtë të zhytesh e të mos dalësh dot në analizën e arsyetimeve të vazhdueshme.
Mënyra më e mirë për të lënë mënjanë stresin është që të analizoni secilën prej ofertave që ju është bërë në bazë të disa kritereve të caktuara. Kjo do t’ju vijë shumë në ndihmë për të vlerësuar secilën ofertë dhe për të bërë zgjedhjen që është më e mira për ju dhe që përshtatet më së miri me planet tuaja të së ardhmes.
Zbuloni më të mirat dhe më të këqijat e secilës ofertë
Ju duhet të identifikoni saktësisht se cilët janë faktorët që e bëjnë një punë të caktuar më të mirën për ju. Mendoni se cilët ishin pikërisht ato faktorë që ju tërhoqën në momentin që aplikuat. Rilexojini edhe njëherë shënimet që keni mbajtur gjatë intervistës së punës që keni dhënë. Por nuk duhet kurrsesi të përqendroheni vetëm në anët pozitive por edhe në ato negative.
Ju nuk do të arrini kurrë të identifikoni se cila do të jetë zgjedhja më e mirë për ju nëse nuk nxirrni si avantazhet ashtu edhe dizavantazhet e një oferte të caktuar pune.
Zbuloni atë që ka më shumë rëndësi për ju
Ju duhet të vendosni në plan të parë prioritetet tuaja dhe të kuptoni se çfarë ju intereson më shumë nga secila prej ofertave të punës që keni marrë, cila është më e rëndësishmja për ju. Mund të filloni duke bërë një listë me të gjitha gjërat që ju i pëlqeni dhe nuk i pëlqeni një oferte të caktuar. Pagesa, kultura e kompanisë dhe shumë gjëra të tjera të cilat për ju janë shumë të rëndësishme. Mos lini pa shkruar asgjë.
Ju do ta redaktoni më pas listën tuaj, pasi të keni shkruar gjithçka që ju ka ardhur në mendje.
Pasi të keni shkruar gjithçka, nënvizoni pesë prej arsyeve që për ju kanë më shumë rëndësi. Këtë gjë përsëriteni për çdo ofertë që ju keni marrë, dhe në fund do ta keni shumë të lehtë për të bërë krahasimet dhe për të kuptuar atë që për ju ka më shumë rëndësi.
Vendosni nota
Pasi të keni identifikuar avantazhet dhe dizavantazhet, vjen momenti që ju të vlerësoni secilën ofertë pune me një notë të caktuar, ose me një numër pikësh duke filluar nga pikët më të larta tek ato më të ulëta. Një gjë e tillë do t’ju ndihmojë në përzgjedhjen që do të bëni.
Mendoni për të ardhmen
Ky është hapi përfundimtar, ta imagjinoni të ardhmen tuaj në atë vend pune. Nuk është e rëndësishme që puna që ju do të zgjidhni të jetë e mirë vetëm për të tashmen, por ju nuk duhet të harroni gjithsesi të mendoni sesi do të jetë e ardhmja juaj në këtë punë. Të mendoni për të ardhmen tuaj, do t’ju ndihmojë juve që të jeni sa më të qartë në zgjedhjen që do të bëni. Është e lehtë që të bëni zgjedhjen e gabuar nëse do të mendoni vetëm për avantazhet që kjo punë ju ofron në një periudhë të shkurtër kohore dhe jo në një periudhë afatgjatë.
Sa më largpamës të jeni për punën tuaj në të ardhmen, aq më e saktë do të jetë zgjedhja që ju do të bëni. Imagjinojeni veten pas një, dy ose pesë vitesh, a e shikoni po në këtë kompani veten edhe pas një periudhe të tillë kohe? A do t’ju krijojë mundësinë një ofertë e tillë pune që pas një periudhe të caktuar kohe ju të rriteni profesionalisht, apo jo? Pasi t’i keni dhënë përgjigje disa prej këtu pyetjeve dhe të keni ndjekur disa prej strategjive ndihmuese të mësipërme në përzgjedhjen e ofertës më të mirë të punës për ju, do ta keni më të lehtë dhe do të ndiheni më të sigurt në zgjedhjen që do të bëni.