Ke gjetur një palë xhinse të reja që të rrinë aq mirë sa duken sikur ke lëkurë të dytë? Urime, kjo është vërtet e vështirë të ndodhë. Por tani vjen sfida e dytë më e madhe e xhinseve: larja dhe pastrimi, në mënyrë që ta ruajnë sa më gjatë ngjyrën, por edhe të mos konsumohen.
Gjëja më e mirë e xhinseve është që mund t’i veshësh më shumë se bluzat apo këmishat me të cilat i kombinon. Ekspertët thonë se nuk është e nevojshme t’i lash shpesh xhinset, madje ka nga ata që mendojnë se xhinset mund të qëndrojnë deri në dy muaj pa u larë në makinë larëse.
Përveç njohurive që dini, këtu janë 5 mënyra të thjeshta për të larë xhinset pa u dëmtuar.
Ktheji nga ana e mbrapshtë
Të kujdesesh për xhinset do të thotë t’i ruash ato nga dëmtimi dhe t’u ruash ngjyrën e gjelbër pa e humbur atë. Gjithmonë ktheji xhinset nga ana e brendshme, para se t’i lash, për të parandaluar venitjen e ngjyrës natyrale që shkaktojnë sapuni dhe uji.
Përdor ciklin e shkurtër dhe ujin e ftohtë
Mund të të duket se xhinset kërkojnë një trajtim të veçantë në larje, por është krejt e kundërta. Që xhinset të mos marrin nuanca apo materiale nga rrobat e tjera, vëri në ciklin e shkurtër të larjes dhe me ujë të ftohtë. Uji i nxehtë, madje edhe ai i ngrohtë, do t’i tkurrë, por edhe do t’i çngjyrosë dalëngadalë.
Evito detergjentin dhe shto pak uthull të bardhë
Rrallëherë ndodh që t’i kesh xhinset shumë të pista. Nëse nuk janë në këtë fazë, këshillohet që ta evitosh detergjentin dhe në vend të tij për larje të përdorësh një filxhan uthull të bardhë. Uthulla është një pastrues natyror që nuk e dëmton materialin dhe ruan ngjyrën.
Përdor larjen me dorë
Natyrisht, nëse ke pak më shumë kohë dhe një lavaman ose vaskë të lirë, një nga mënyrat më të mira për t’u siguruar që xhinset ta ruajnë ngjyrën dhe të mos dëmtohen është larja me dorë. Para këtij procesi, futi në ujë të ftohtë, në të cilin ke shtuar një filxhan uthull të bardhë. Lëri ta thithin për 15 minuta.
Përdor tharjen natyrale
Përfundimisht, të gjithë kanë arritur në një përfundim shumë të rëndësishëm që duhet mbajtur mend kur është fjala për xhinset: kurrë mos përdor centrifugën – madje as për pesë minuta. Nëse do që ta ruajnë ngjyrën sa më gjatë, atëherë lëri xhinset të thahen natyralisht nga rrezet e diellit.