Në një debat publik me banorët e Lumadhit dhe të dy fshatrave të zonës, Stanovc i Epërm dhe Stanovc i Poshtëm, kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka premtuar se me funksionalizimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh do të punësohen 1 mijë të rinj vushtrrias, ndërsa përparësi në punësim do të kenë banorët e këtyre fshatrave, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Kanë vazhduar përgatitjet për fillimin e realizimit të projektit të Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë.
Në një sipërfaqe prej 14 hektarësh, që gjendët buzë rrugës rajonale Vushtrri – Prishtinë, do të vendoset një numër i bizneseve vushtrriase, por edhe nga rajonet e tjera të vendit, pasi që hapësira krijon kushte ideale për zhvillimin e të gjitha veprimtarive të bizneseve.
Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, i cili ka konkretizuar idenë e tij menjëherë pasi ka marrë qeverisjen me Komunën e Vushtrrisë, ka mbajtur një debat publik me banorët Lumadhit, si dhe me banorët e dy fshatrave të zonës, Stanovcit të Poshtëm dhe Stanovcit të Epërm.
Tahiri atyre ua ka prezantuar projektin, ndërsa përfaqësues të bizneseve vushtrriase, por edhe përfaqësues të fshatrave Lumadh, Stanovc i Epërm dhe Stanofc i Poshtëm, janë pajtuar për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në fshatin Lumadh të Vushtrrisë.
Në prezantimin e këtij projekti, ku kryesisht kanë marrë pjesë përfaqësues të bizneseve, por edhe të fshatrave përreth zonës ku do të ndërtohet Zona e Lirë Ekonomike, kryetari i komunës Xhafer Tahiri ka folur për investimet që do të bëhen aty.
“Në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh, që përfshin një hapësirë prej 14 hektarëve, synojmë t’i punësojmë 1000 persona”, ka thënë Tahiri.
Kryetari Tahiri ka bërë të ditur se tashmë nga buxheti i shtetit janë siguruar 1.2 milion euro për investime në periudhën 3-vjeçare në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh.