Filmi i metrazhit të shkurtër “Silent”, i autorit Luan Radoniqi, është fitues i çmimit për filmin më të mirë në Festivalin e Filmit “Film Flaka 2018” që është manifestim përcjellës i “Flakës së Janarit 2018”.
Ky është festivali i tretë me radhë e në hapje të festivalit, Burim Baftiu, përgjegjës për këtë ngjarje, ka thënë se në mbrëmjen e festivalit të filmit do të shfaqen nëntë filma të ndryshëm, kurse juria në përbërje Rron Ismajli, Blerta Hyseni dhe Durim Kryeziu kanë përgjegjësinë e zgjedhjet së filmit më të mirë.
“Sivjet vije edhe një premierë nga Maqedonia”, ka thënë Baftiu, që u ka uruar shikim të këndshëm të pranishmëve.
Më pas me radhë janë shfaqur filmat: “The Garbage” me autor Kushtrim Asllani, “Silent (poster)” i Lum Radoniqit, “Institucioni i Andrrave” – Trëndelinë Halili, “A Performance” i Dritëro Mehmetajt, “Reporteri” i Leotrim Idrizit, “Antena” i Gentian Koçit, “The Junction” i Xhelal Halitit, “Taxi” i Arben Fejzullahut dhe “Fatalist” i Edin Aliajt.
Festivalin e filmit “Film Flaka” e ka përmbyllur Shpresa Kurteshi – Emini, e cila tha se “Flaka e Janarit” është një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore ndër shqiptarë, kurse ky festival ka përkuar edhe me 70-vjetorin e rënies së Haki Efendi Sermaxhajt.
Edhe Bashkim Nexhepi, udhëheqës i Këshillit Drejtues të “Flaka..” ka thënë se sivjet ka pasur prurje shumë cilësore dhe se publiku ka shijuar vlera të mirëfillta kulturore.
Gjithashtu, në këtë mbrëmje është ndarë edhe çmimi për fotografinë më të mirë në kuadër të “Foto Flaka” dhe këtë çmim e mori Arben Llapashtica. Ekspozita me fotografi po qëndron e hapur në hollin e Teatrit të Qytetit në Gjilan.
“Flaka e Janarit 2018” këtë të diele vazhdon me manifestimin “Xixat e Flakës”, Festival i Këngës për Fëmijë.