Simiq: Nga Prishtina erdhën me armë të gjata kinse në aksion kundër plazmave

Prishtinë | 14 Tet 2021 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq tha se në këtë mëngjes situata në komunat veriore të Kosovës është e qetë, por që sipas tij qytetarët janë të shqetësuar dhe të zemëruar.

Kësisoj sipas tij të njëjtit kërkojnë mbrojtje nga Serbia, pasi sipas tij nuk mund të parashikohet se çfarë i pret.

“Ajo që ndodhi dje është e papranueshme dhe e palejueshme. Kishte të shtëna në shtëpitë e familjes ku kishte shtatzëna, nëna… Njerëzit tanë janë të frikësuar, të zemëruar dhe kjo nuk tolerohet”, tha ai.

Ai deklaroi se vetëm disa ditë pasi njësitë speciale u larguan nga veriu, ato u kthyen përsëri.

“Nën pretekstin e pretenduar të kryerjes së aksionit në luftën kundër biskotave plazma, coca-cola”, shtoi Simiq, transmeton lajmi.net.

Sipas Simiq askund në botë nuk kryhet një inspektim me armë të gjata, në një vend ku nuk ka protestues.

Simiq deklaroi se serbët janë të vendosur të qëndrojnë dhe të mbijetojnë në Kosovë dhe se ata i kërkuan presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe strukturave të tjera serbe që të përgjigjen nëse shteti do të qëndrojë në mbrojtje të tyre.

“Nuk mund të them se gjithçka është mirë derisa dikush nga Prishtina po dërgon forcat speciale në drejtim të serbëve me duar të zbrazëta. Prishtina duhet të ndalojë veprimet e njëanshme dhe të dërgojë forcat speciale që minojnë paqen”, shtoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme