Zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e simpatizantë të shumtë ishin mbledhur në selinë e AAK-së, në Prishtinë para orës 09:00 të mëngjesit për të pritur vendimin përfundimtar për liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj në Colmar të Francës.
E, derisa po pritej fillimi i seancës deputetë të AAK-së, në njërën prej sallave të selisë të emocionuar pritnin vendimin përfundimtar. Ishte anëtari i kryesisë Muharrem Nitaj, i cili hyri në sallë dhe u dha lajmin që lideri Haradinaj u lirua, raporton Ekonomia Online.
Me të marrë këtë lajm shumë prej deputetëve u dolën lot gëzimi. Madje secili nga ta e uronin njëri-tjetrin pasi që siç thonë e kishin pritur këtë vendim. Derisa të emocionuar e morën këtë lajm jashtë selisë filloi festa.
Vetura me flamuj, fishekzjarrë e petarde nga më të ndryshmet shiheshin e dëgjoheshin nëpër rrugë të kryeqytetit ku përmes tyre edhe festonin.
Por nuk mjaftoi me kaq, me të marrë këtë lajm simpatizantë të Ramush Haradinajt me surle e tupanë erdhën para selisë për të festuar.
E, pas një ore pritej edhe konferenca e AAK-së, në të cilën do të shpaloseshin detaje rreth ardhjes së Ramush Haradinajt në Kosovë.
Në konferencë medieve iu drejtuan nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini dhe anëtari i kryesisë, Muharrem Nitaj.
Derisa po mbahej konferenca jashtë selisë vazhdonte festa. Madje aty shumë simpatizantë filluan edhe të vallëzonin.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj do të kthehet sot në Kosovë rreth orës 19:00 në mbrëmje deri sa prej orës 19:30-20:00 pritet t’u drejtohet qytetarëve në Sheshin “Zahir Pajaziti”.
LEXO EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/festa-para-selise-se-aak-se-permes-fotografive/