Shoqata Kulturore “Kufijtë e Arbërit” organizon simpoziumin shkencor më rastin e 636-vjetorit të Betejës së Kosovës të zhvilluar më 1389 në mes të princave e kryengritësve shqiptarë dhe ushtrisë osmane.
Në këtë simpozium morën pjesë historianë, studiues dhe figura të shquara të kulturës.
Salih Salihu tha se beteja që ndodhi më 15 qershor 1389 në Fushë të Kosovës ishte një përballje ndërmjet princave dhe mbretërve arbëror dhe ushtrisë osmane.
Ai përmendi se koalicioni ishte i përbërë kryesisht nga prijës shqiptarë dhe se beteja u zhvillua në zemër të Arbërisë e jo siç është përvetësuar në narrativën serbe.
“Beteja e Kështjellave, e Kalave në Fushë të Kosovës ndodhi më 15 qershor 1389 në territorin, hapësirën e Arbërisë, në hapësirën në mes lumenjve Sitnicë dhe lumit Llap. Beteja ndodhi në mes koalicionit evropian e dominuar totalisht nga mbretërit arbërorë si: Gjergji II Balsha i Shkodrës, Theodor Muzaka i Beratit, Gjon Kastrioti i Lezhës-Krujës, Theodori II Jonima i Vlorës dhe mbretërit arbërorë të Dardanisë: Musa Arbanasi i Musinçës, Lazri i Rebeluari i Perlepnicës së Gjilanit të Karadakut-Moravës dhe Hashanisë, Gjon Konsanqi i Kosanicës, Milush Nikollë Kopili i Dardanisë, Tfërkoja i Mitrovicës, Vratk Stefani i Qendrës së Dardanisë dhe nëntë vëllezërit po ashtu të Qendrës së Dardanisë.
Në Betejën e Kështjellave më 15 qershor 1389 mori pjesë edhe Os Krasniqi, kryeipeshkëv i Manastirit të Lumë Kuqit – Samadrexhës dhe për këtë, pasi që mbretërit arbërorë kishin mbajtur takimin e fundit dhe kishin vendosur si të hyjnë në luftë dhe si të luftohet e keqja që po depërtonte nga Azia, po ky kryeipeshkëv i Lumëkuqit-Samadrexhës, qysh kohë më parë, kishte ftuar të gjithë popullatën që gravitonte në këtë Manastir me thënien e njohur të tij: “Ai që nuk vjen nesër të luftojë në Betejën e Kështjellave – Kalave dhe ta mbrojë nderin e Arbërit kundër të pafeve mongolo-osmanli-turq, kurrë mos i lehtë djalë, as vajzë në votër!”.
Kryeipeshkvi i Manastirit të Lumëkuqit kishte rënë edhe vetë në luftime e sipër në atë betejë më 15 qershor të vitit 1389. Ka mundësi që të kenë marrë pjesë edhe boshnjakët dhe kroatët, por ata kanë marrë pjesë si arbërorë. Po ashtu, kanë marrë pjesë austro-hungarezët, gjermanët, ndoshta edhe polakët me një njësi me Ladisllavin në krye. Ajo çka është me rëndësi të thuhet është që sllavët, serbët, as rusët nuk kanë marrë pjesë. Arsyeja është sepse për vendin dhe kohën kur po flasim në ato hapësira ende nuk ka zbritur elementi sllav e as ai serb. Në këto hapësira, elementi sllav dhe ai serb është vërejtur dhe është ndikuar vetëm pas vitit 1924 e tutje.
Kështu që propaganda serbo-sllave se gjoja edhe ata kanë marrë pjesë në Betejën e Kalave-Kështjellave më 15 qershor 1389, jo që është gënjeshtër, por nuk ka kurrfarë baze mbështetëse, as në aspektin historik, as në atë arkeologjik, as në shtrirjen e popullsisë, sepse popullata arbërore-shqiptare është shtrirë dhe ka dominuar edhe në aspektin ekonomik, edhe atë gjeostrategjik dhe ushtarako-politik. Në këtë hapësirë është shtrirë deri tek Austria dhe Hungaria, Bullgaria, Rumania, Polonia, Çekosllovakia dhe deri tek Italia, deri në vitin 1924.
Kësisoj, mbretërit arbërorë qysh më herët kishin vërejtur që një mortajë e keqe dhe e zezë, pasi që kishte kaluar Azinë, dhe synimet e tyre ishin të mësyjnë Evropën. Ishin këta tanguzo-ogurët mongolo-osmanlinj-turq, të cilët, pasi kishin kaluar Aziatiko-Afrikën, synimet e tyre tashmë ishin pushtimet e Evropës. Për çka fatmirësisht nuk ia arritën asnjëherë, sepse digë dhe pengesë e pakalueshme ishte Arbëria”, tha Salihu.
Historiani Dibran Gashi kritikoi ashpër anashkalimin institucional dhe arsimor të Betejës së Kosovës.
Gashi theksoi se konvertimi masiv i shqiptarëve në islam gjatë sundimit osman ka krijuar një varësi mendësie ndaj trashëgimisë turko-osmane, gjë që e ka zbehur interesin institucional për këtë betejë.
“Sot jemi dëshmitarë të një anashkalimi total të kësaj ngjarjeje historike, në radhë të parë nga institucionet përkatëse dhe përgjegjëse kulturore e historike dhe në radhë të dytë për trajtim mësimi në shkollat tona përmes librave të historisë. Sipas mendimit tim, janë dy arsye bazike që na ka ndodhë e po na ndodhë kjo: Aspekti i trajtimit etnik dhe ndërshtetëror. Kjo ndërlidhet me angazhimin ekstrem të Akademisë Serbe të Shkencave dhe shtetit serb, që kanë arritur ta plasojnë si një të vërtetë historike të tyren për mitin serb të Betejës së Kosovës, me devijime të mëdha të së vërtetës historike për ngjarjen e kësaj beteje, që të njihet botërisht si luftë në mes osmanëve të udhëhequr nga sulltan Murati dhe ekskluzivisht serbëve, duke anashkaluar koalicionin ballkanik, ku shumicë pjesëmarrëse ishin princat dhe mbretërit arbërorë.
Në këtë fushëbetejë u vranë princa dhe shumica ushtarë arbërorë. Por, pushtimi dhe sundimi mbi pesëshekullor barbar osman bëri që kjo ngjarje të fashitet, gjë që e shfrytëzuan shumë mirë serbët për ta përkufizuar si betejë dhe kontribut ekskluziv të prijësve serbë. Edhe pse betejë e humbur, sot kjo festohet, shënohet nga shteti serb e Kisha Ortodokse Serbe si një ngjarje historike e tyre apo si një fitore, ashtu që të trajtohet vendi i ngjarjes, Fusha e Kosovës, si truall serb që ua kanë marrë shqiptarët, pavarësisht se ishte tokë e banuar ekskluzivisht nga arbërit, kur serbët nuk ekzistonin fare në këto troje.
Pra, ne ua kemi lënë (falur) serbëve Betejën e Kosovës si të tyren, pa çarë kokën as institucionet qeverisëse, as qarqet tona politike, as ato akademike, as ato kulturore, as ato historike që të zhbëhet miti i rremë serb mbi këtë betejë. Prandaj, sot jemi në defensivë të plotë ndaj kësaj çështjeje me rëndësi kombëtare dhe shtetërore.
Meqë pushtimi dhe sundimi osman arriti që ta bëjë konvertimin fetar të arbërorëve (shqiptarëve) në islam, masivisht nga shek. XVII e tutje, për të arritur sot në gati 95% të deklaruar myslimanë, si një mendësi varësie nga ajo turko-osmane që dhe sot manifestohet, bile me mburrje e fuqizuar, sidomos për këto 25 vjet post-çlirim, në liri, kjo ka bërë që institucionet qeveritare, akademike, politike e të tjera ta humbin interesin për këtë betejë, sepse ua cenon mazohizmin e tyre në raport me Perandorinë Osmane dhe Turqinë e sotme, një mentalitet i mbjellë dhe forcuar ndër shekuj të sundimit osman që la vrragë të thella në trurin e shumicës tonë”, shtoi ai.

