Sinani fton qytetarët e Luginës të votojnë, nuk u përgjigjet akuzave të Arifit

Prishtinë | 17 Dhj 2023 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, i ka ftuar shqiptarët e Luginës që të dalin e votojnë masivisht në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi që po mbahen sot.

Sinani, që është këshilltare politike e kryeministrit Albin Kurti, për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ka thënë se presin rezutlate të mira.

“Është ditë e veçantë, ftoj të gjithë qytetarët e Luginës që masovikisht të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, për të deleguar njerëzit e duhur, cilësor, të cilët mbrojnë interesat e qytetarëve të Luginës. Njerëz të rreshtuar drejt për t’i mbrojtur qytetarët e Luginës. Ftoj të gjithë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, ka deklaruar Sinani.

Ajo nuk ka dashur t’i përgjigjet akuzave të kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, që pati ndaj Kurtit. Arifi e akuzoi Kurtin për përçarje të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Shqiptarët në Luginë po garojnë me dy lista.

“Janë të pavërteta ato. Por, sot është festë, s’kemi të drejtë të merremi me komente të tilla, nuk na lejon etika. Ftojmë qytetarët masovikisht të dalin në kuti të votimit, të votojnë për deputetë cilësorë e të rreshtuar drejtë për t’i mbrojtur interesat kombëtare dhe qytetarët e Luginës pa dallim. Përqindja deri pak më përpara ishte më e ulët. Por, në Preshevë është praktikë që deri në ora 1 përqindja të jetë e ulët, e më pas të ketë numër më të madh të votuesve. Prezim rezultate konkrete e shumë të mira”, ka thënë Sinani.

Të ngjashme