Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ) ka apeluar për kthimin dhe vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në ushtrimin e përgjegjësive ekzekutive për emërimin e personelit diplomatik. Sipas saj, procesi ka degraduar edhe më në jashtëligjshmëri, shkruan sot Koha Ditore.
Apeli është bërë në një shkresë, që Këshilli ekzekutiv i kësaj shoqate sindikale ua ka drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, si dhe zëvendësministres Rejhan Vuniqi, sekretarit të përgjithshëm, Fitim Sadiku, si dhe drejtorit të përgjithshëm, Albert Prenkaj.
Që në hyrje i është rikujtuar ministrit Pacolli se diplomacia si aparat shtetëror paraqet një aset në zhvillim, i cili ka pasur nevojë të mbështetet me vendime të bazuara në parimin e ligjshmërisë e drejtshmërisë dhe jo me vendime formale improvizuese për të legalizuar dhe akomoduar interesa të dëmshme për marrëdhëniet e Kosovës me shtetet pranuese.