Sindikata e Kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” bëri të ditur se ndonëse është nënshkruar një kontratë shtesë për shërbime sipërfaqësore në vlerë prej 1.5 milion euro, kjo nuk përbën zgjidhje për kërkesat e tyre thelbësore dhe nuk do të ndalë përshkallëzimin e grevës.
Kryetari i kësaj sindikate, Ardian Krasniqi, tha se kërkesat mbeten të qarta dhe të panegociueshme.
“Pagesa e borxhit pesëmujor që Komuna e Prishtinës i ka KRM “Pastrimi”, e cila është jetike për pagat e rreth 900 punëtorëve dhe për funksionimin normal të ndërmarrjes; nënshkrimi urgjent i kontratës bazike për shërbimet e rregullta të grumbullimit të mbeturinave në Komunën e Prishtinës; zgjidhja e statusit të ndërmarrjes, përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë që garanton mbështetje institucionale dhe financiare.
Ndërprerja e kontratave me operatorë privatë që ofrojnë shërbime paralele, të cilat po e dëmtojnë funksionimin dhe të ardhurat e ndërmarrjes publike. Konsultimi i detyrueshëm me KRM “Pastrimi” për çdo vendim që prek fushën e operimit të saj në territorin e Prishtinës.
Respektimi i dinjitetit dhe të drejtave të punëtorëve, dhe trajtimi me përgjegjësi institucionale. Pa përmbushjen e këtyre kërkesave, greva vazhdon. Asnjë zgjidhje e pjesshme nuk do të ndalë veprimet tona. Ne jemi të vendosur të mbrojmë interesin publik, dinjitetin e punëtorëve dhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjes publike”, tha Krasniqi.