Sindikata e Punëtorëve: Nëse falimenton Telekomi, falimenton edhe shteti

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 10:43 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Komisionin Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala, kryetari i Sindikatës së Punëtroëve të Telekomit, Lami Balaj tha se gjendja shkatërruese dhe degradimi i ndërmarrjes së Telekomit ka filluar që nga viti 2008, raporton Ekonomia Online.

Balaj thotë se një goditje e madhe për Telekomin ishte lidhja e kontratës me kompaninë Z  Mobile e cila sipas Balajt, nuk i ka sjellë asnjë përfitim Telekomit.

“Telekomi i Kosovës ka filluar të menaxhohet nga menaxhmenti vendor në vitin 2008 pas pavarësisë së Kosovës dhe dëmi ka filluar në atë kohë. Telekomin e kanë menaxhuar njerëz që kanë pasur paga enorme në Telekom”.

“Nga viti 2008 e këndej është gjendja më e rëndë në telekom shkatërrimi i saj ka filluar kur me kërkesë të Telekomit ka filluar të bëhet një kontratë me Z Mobile e cila në treg operon me përfitime marramendëse ndërsa nuk ka bërë asnjë investim në Telekomin e Kosovës. Sot operojnë 30 për qind të tregut dhe Z Mobile përfitimet i ka të barabarta me Telekomin”.

Balaj shprehet se nëse vendoset që të vazhdohet kontrata e Telekomit me Z Mobile, punëtorët e sindikatës së Telekomit nuk do ta bëjnë implementimin e saj.

“Kjo kontratë duhet me u shkëputë, Z Mobile i kalon lienca këtë vit, kur është bë kjo kontratë është gatu që me ardhur deri te gjyqi ndërkombëtarë që me u humb 32 milionë euro dhe kjo kompani të kërkojë të jetë partner i joni për neve si punëtorë është e pa pranueshme”.

“Ne synojmë përmbylljen me Z Mobile dhe kemi bërë edhe një peticion ku kemi bërë të qartë që nëse vendoset me u vazhdu kjo kontratë ne si punëtorë nuk do e bëjmë implementimin e saj”.

“Ne e kemi alarmuar opinionin publik që të vjen të heton dhe neve nuk na ka mbet tjetër që t’i ruajmë vendet e punës vet dhe t’i ndalim të këqijat që i kanë ndodhë Telekomit të Kosovës”.

Balaj tutje shprehet se një tjetër goditje për Telekomin është afera Sim to Sim e cila sipas Balajt, Telekomit i ka shkaktuar 21 milionë euro humbje, raporton EO.

“Goditja e madhe për neve është ajo që po thuhet në publik se Telekomi po falimenton dhe nëse falimenton Telekomi i Kosovës falimenton edhe vetë shteti jonë. Nuk iu ka hije ata që janë udhëheqës me thënë që Telekomi po falimenton”.

“Neve vetë institucionet na kanë blloku. Na ka dëmtuar mjaft shumë edhe prokurimi publik.  Një prej faktorëve që na ka shkaktuar shumë humbje është afera Sim to Sim e cila na ka shkaktuar humbje 21 milionë euro”.

Deputeti nga radhët e LDK-së Armend Zemaj, u interesua për kontratat e tjera të dëmshme që i ka shkaktuar humbje Telekomit.

“Më intereson të dijë edhe për kontratat e tjera përveç asaj të Z Mobile, pashë që ju keni dhënë shuma marramendëse për një dhe një kontratë tjetër e quajtur ‘Solaria’ si dhe kontrata e quajtur ‘4G'”.

Një kërkesë të njëjtë e pati edhe deputetja e VV-së Albulena Haxhiu.

“Padyshim që kontratat me Z Mobile ka qenë njëra prej kontratave që më së shumti ka dëmtuar Telekomin por nëse ajo ka qenë më e dëmshmja cilat janë kontratat e tjera që kanë qenë të dëmshme sepse ka mundësi që ne ndonjëherë prej tyre ta kemi objekt hetimi”.

Kryetari i sindikatës së Telekomit, Lami Balaj tha se në as kontrata “Solaria” dhe as “4G” nuk i duhen Telekomit pasi që sipas tij, zhvatin buxhetin e kësaj ndërmarrje.

“Neve këto kompanitë që shesin për neve bash asgjë nuk na duhen, as Solira sepse vetëm janë duke e zhvatë buxhetin. Z Mobile po merr shërbime pa limit prej nesh”.

“Ka kontrata që ndoshta na nuk i dimë hiq, ka kontratë që ju e keni kërkuar dhe unë kam marrë vesh për atë kontratë që është nënshkruar kur e keni kërkuar ju. Më lehtë p.sh ka qenë me shku në zyre të kryeministrit apo presidentit se sa me shku në katin e 4, aty bëhen krejt punët e këqija”.

Tutje Balaj u shpreh se Telekomi ka punësuar mjaftë punëtorë, por që ata punëtorë nuk janë shpërndarë në sektorët që i përkasin.

Gjegjësisht sipas Balajt ata punëtorë kanë kryer punë të tjera që nuk kanë qenë në përputhje me profesionin e tyre.

“Ne s’kemi nevojë për një kompani e cila një shtyllë vjen me e ndërruar dhe na merr 7 mijë euro. Mbi 300 antena të valës janë montuar nga punëtorët tonë ndërsa 200 të tjera kanë filluar me u çmontuar nga kompani private”.

“Ne nuk kemi nevojë pasi që një pjesë e punëtorëve janë duke mos bë asgjë. Sa i përket numrin të punëtorëve ne jemi nda në viti 2012 nga Posta e Kosovës dhe në atë kohë kur jemi nda posta ka shku me 2500 punëtorë, ne nga viti 2005 nuk kemi inxhinierë të Telekomit”.

“Në Telekom kanë shku njerëz që nuk kanë pas lidhje me profesionin që është kërkuar. Shërbimet e dobëta tona kanë qenë politike dhe ato na ka shkaktuar vetë shteti. Gabimi më i madhi është që Telekomi është stërngakruar por nuk janë ndarë në vendet që është dashtë. Ne flasim sot për nepotizëm në Kosovë dhe nuk del askush prej institucioneve me hetuar”.

“Qëllimisht e ka sjellë dikush Telekomin që me rrënjosë. Ne si sindikatë jemi kundër privatizimit dhe i gjithë degradimi është bërë që me e ulë vlerën e Telekomit. Nuk falimenton Telekomi por qëllimisht janë tu bo këto fjalë”.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se prej aferës “Sim to Sim” kanë përfituar grupe kriminale.

“Mendoj që ka grupacione kriminale që kanë përfituar nga afera ‘Sim To Sim’ dhe pasi që jemi komision hetimor ju duhet të na tregoni emrat, sot po flitet për falimentim ndoshta është një propagandë, e nëse do ndodhte privatizimi ndoshta një pjesë e këtyre problemeve nuk do ndodhnin sot”.

Ndërsa Balaj tha se Telekomi është dëmtuar nga falja e borxhit publik rreth 34 milioën euro, sipas Balajt 12 milionë euro i ka borxh Z Mobile – Telekomit.

“Vetëm rrjet nëntokësor Telekomi ka 1.5 miliardë. Afera ‘Sim to Sim’ të gjithë ata njerëz që e kanë menaxhuar Telekomin janë fsheh pas disa partive politike. Ata njerëz kanë pas familjarë në politikë”.

“Ne jemi dëmtuar shumë e tepër nga falja e borxhit publik me një shumë prej 34 milion euro. Afër 11 milionë është banka kreditore ndërsa rreth 13 milionë na kanë borxh klientët tanë, ndërsa Z Mobile na ka 12 milionë të cilat nuk na ka paguar kurrë”.

“Frika e privatizimit është frikë e të gjithë punëtorëve. Fakt është që na kanë ra të hyrat. 50 milionë euro janë tu na dalë jashtë Telekomit e si janë tu dalë mendoj që prokuroria duhet me u marrë me këtë çështje. Unë mendoj që nuk kemi pas kurrë nevojë për marketing ku janë nda 38 milionë euro vetëm për këtë çështje”.

Ndërsa kryetari i Komisionit hetimor, Visar Ymeri tha se në orën 12:00 pritet të vijë edhe kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi për të raportuar para komisionit.

Të ngjashme