Të mërkurën mbrëma në afërsi të Liqenit të Badovcit është gjetur pa shenja jete roja i pyllit, Nazmi Rrustemi, inspektor i Komunës së Prishtinës
Lidhur me rastin, ka reaguar edhe Sindikata e Pavarur e Pylltarisë së Kosovës, përmes një komunikate përmes së cilës shpreh shqetësimin për kushtet e vështira të punës për punëtorët e pylltarisë.
“Sindikata e Pavarur e Pylltarisë së Kosovës përmes një njoftimi për media ka shprehur shqetësim të thellë për kushtet e vështira të punës me të cilat po ballafaqohen punëtorët e pylltarisë dhe rrezikun që i kanoset atyre çdo dit në vendin e punës, ashtu siç ndodhi me rastin e vrasjes në vendin e punës të Rojës së pyllit z. Nazmi Rustemi-roje në Rajonin e Prishtinës”, thuhet në komunikatë.
Kjo sindikatë kërkon nga organet e drejtësisë ta zbardhin rastin, njëherësh thotë se duhet të mirren hapa konkretë për mbrojtjen dhe sigurinë në punë e punëtorëve të pyllit.
“Ndaj, Sindikata e Pavarur e Pylltarisë së Kosovës shpreh keqardhje të thellë për këtë rast, kushtet e vështira në të cilat po punojnë punëtoret e pylltarisë dhe konkretisht Rojtaret e pyllit dhe njëherit bënë thirrje te organet kompetente që të ndërmarrin hapa konkret që këta punëtorë, të kenë mbrojtje dhe siguri në punë si dhe sa më shpejtë të zbardhet rasti në fjalë”, thekson komunikata.