Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës (SHSASHJ) ka reaguar ndaj vendimit që është marrë për të sistemuar kryetarin e saj Agron Maloku në Ministrinë e Shëndetësisë.
Nga Shoqata është thënë se Maloku është transferuar për t’i dhënë përparësi që të sistemohet një zyrtar tjetër në Ministri të Diasporës, e që sipas Shoqatës nuk ka gradën diplomatike e shërbimin e nevojshëm për shërbim të jashtëm.
“Z. Agron Maloku, kryetar i Shoqatës Sindikale ka pranuar një vendim nga MPB-ja (16.09.2022) përmes të cilit sistemohet në Ministrinë e Shëndetësisë, kinse në kuadër të sistematizimit dhe riorganizimit të ri të MPJD-së. Z. Maloku është diplomat i karrierës, bartës i funksionit të drejtorit që nga themelimi i MPJ-së më 2008 dhe udhëheqës për një kohë të gjatë i Departamentit për diplomaci ekonomike në MPJ dhe ka ushtruar pozita të rëndësishme në misionet diplomatike/konsullore të Republikës së Kosovës. Duhet theksuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, Komisioni në kuadër të MPJD-së kishte vendosur Z. Maloku në listën për transfer në ndonjë ministri tjetër, duke i dhënë përparësi kundrejt tij për sistematizim një zyrtari të Ministrisë së Diasporës, pa gradë diplomatike dhe pa përvojën e nevojshme në shërbimin e jashtëm”, thuhet në reagimin.
Nga Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm është thënë se ky veprim po bëhet për hakmarrje, shkaku i veprimtarisë sindikale të Malokut dhe është kërkuar edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës që të reagojë.
“Shoqata Sindikale që nga themelimi i saj në mars të vitit 2017 e deri ditën e sotme ka denoncuar fenomenet e kundërligjshme në MPJD. Ligji për organizim sindikal në Kosovë garanton imunitetin e përfaqësuesve sindikalë dhe ndalon caktimin në një vend tjetër të punës të një përfaqësuesi sindikal gjatë kohës sa ai ushtron veprimtari sindikale dhe ndalon çdo akt të ndërhyrjes në funksionimin dhe administrimin e organizatës sindikale. Duke e caktuar z. Maloku, kryetar i Shoqatës Sindikale, në një vend tjetër të punës, MPJD-ja dhe MPB-ja kanë bërë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe administrimin e Shoqatës Sindikale. Me këtë janë shkelur të drejtat e garantuara kushtetuese, legjislacioni në fuqi mbi organizimin sindikal dhe janë bërë veprime të dënueshme sipas legjislacionit penal të Republikës së Kosovës”, tha Shoqata.
Shoqata Sindikale i ka bërë thirrje menaxhmentit të MPJD-së dhe MPB-së që ta shfuqizojnë vendimin për sistemimin e Malokut. Po ashtu ka kërkuar nga Avokati i Popullit ta trajtojë rastin.
“Në të njëjtën kohë Shoqata Sindikale i bën thirrje BSPK-së ta përdorë autoritetin e saj për t’i mbajtur përgjegjës menaxhmentin e MPJD-së dhe MPB-së për veprimet e kundërligjshme dhe njëherit i kërkojmë BSPK-së të mbrojë Shoqatën Sindikale duke bërë denoncimin për shkeljet e tilla para autoriteteve të ndjekjes dhe atyre gjyqësore. Shoqata Sindikale i bën thirrje Avokatit të Popullit dhe Prokurorisë së Shtetit që në mënyrë ex officio ta trajtojnë me urgjencë një shkelje të tillë, që ka ardhur si hakmarrje për veprimet sindikale legjitime dhe ligjore, në mbrojtje të të drejtave të stafit dhe vënies së ligjshmërisë në MPJD. Kësaj veprimi hakmarrës ndaj z. Maloku, i ka paraprirë edhe ndërhyrja në mënyrë të kundërligjshme i zyrtarit pasues të ish-MD, i cili ka iniciuar procedura për furnizime me vetura në shumën prej 150 mijë euro, pa u përmbushur kriteret ligjore për një gjë të tillë, procedurë e cila duhet të iniciohet nga pozita e z. Maloku.
Kjo ndërhyrje në kompetencat e z. Maloku më pastaj është bërë pjesë e hetimeve të institucioneve të ndjekjes penale – Prokurorisë së Shtetit, dhe si rrjedhojë e kësaj, menaxhmenti i MPJD-së është vënë në mbrojtje të zyrtarit të përfshirë, ndërsa është duke e persekutuar dhe ndëshkuar z. Maloku si mbrojtës të ligjshmërisë”, thuhet nga Shoqata, që ka njoftuar se do të përdorë edhe protestën si masë për të reaguar.
Po ashtu nga Shoqata është thënë se në ditët në vijim do të bëhen publike shkeljet e tjera ligjore që prenteodhet se janë kryer nga ana e menaxhmentit të MPJD-së.
“Ditëve në vijim, Shoqata Sindikale, do të njoftojë hollësisht në lidhje me këtë sulm të paprecedent kundër organizimit sindikal si dhe do të bëjë të njohura për mediet dhe opinionin publik shkeljet e tjera ligjore të kryera nga ana e menaxhmentit të MPJD-së të vendosur kundërligjshëm në pozitat udhëheqëse në MPJD, konkurset e paligjshme, mbi procesin arbitrar të largimit nga puna, promovimet e kundërligjshme në grada, mbi shkeljet gjatë procesit të rotacionit dhe të emërimit në misione diplomatike/konsullore, i cili po zhvillohet në mënyrë selektive dhe diskriminuese duke përdorur standarde të dyfishta. Shoqata Sindikale do të përdorë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, duke përfshirë edhe protestën, për të adresuar veprimin e kundërligjshëm ndaj veprimtarisë sindikale dhe shkeljeve tjera nga menaxhmenti i vendosur kundërligjshëm në MPJD, veprime këto që janë duke i dhënë goditje fatale shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës”, thuhet nga Shoqata.