Sindikata e Telekomit: Kryeministri Hoti nuk mbajti premtimin ndaj Telekomit

Prishtinë | 24 Sht 2020 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Telekomit fajëson Qeverinë për mosmbajtje të zotimeve

Me një reagim publik, Sindikata Profesionale e Telekomit të Kosovës, i ka bërë thirrje kryeministrit Hoti dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi që të ndërhyhet sa më shpejt në Telekomin e Kosovës, nëse duan që të shpëtohet kjo ndërrmarrje, përpara se të jetë vonë.


Më poshtë gjeni reagimin e plotë të kësaj sindikate.

I nderuar Kryeminister Hoti,
I nderuar ministër Kuçi.

Për t’ua bërë me dije edhe një herë, si formë e alarmit të fundit, për gjendjen e vështirë në Telekomin e Kosovës, më duhet t’iu drejtohem më këtë shkresë për të kërkuar që të qëndroni prapa premtimeve dhe zotimeve publike, që nuk ishin të pakta, për ta përkrahur në çdo formë të mundshme kompaninë tonë.
Është për t’u habitur kjo heshtje e Aksionarit, e sidomos tani kur gjendja është tejet e rënduar brenda kompanisë, si pasojë e tërheqjes së mjeteve nga llogaritë e Telekomit nga Z Mobile, si dhe në të njëjtën kohw nga pandemia, që, siç dihet, ka bërë efekte negative sikur në të gjithë sektorët tjerë.
Po ua përkujtoj që gjatë kohës së protestave të punëtorëve të Telekomit, edhe ju si kryeminëstërministër, edhe ministri Kuçi, kishit kërkuar që të shpërndahen protestuesit, duke premtuar një zgjidhje të shpejtë që ka të bëjë direkt me mbështetje financiare, të domosdoshme për ta shpëtuar nga falimentimi kompaninë. Poashtu janë edhe disa takime të tjera mes Telekomit të Kosovës dhe Aksionarit ku prapë nuk kanë munguar zotimet dhe premtimet për t’i dalë në ndihmë kompanisë sonë, zotime dhe premtime këto, që për fat të keq, deri më sot, nuk rezultuan të jenë as të përmbushura dhe as serioze.
Derisa gjendja është e rëndë, Telekomi është i përkushtuar dhe po bën të pamundurën, që të sigurojë vetëekzistëncën e saj, por në të njëjtën kohë, kompania ende i ekspozohet një rreziku potencial për bllokim të sërishëm të llogarive bankare.
Kërkojmë nga ju si Aksionar, që ashtu siç jeni zotuar, që të paktën të ndërhyjni në procesin ende të hapur me Z Mobile, në mënyrë që të mos përsëritet situata e njëjtë e bllokimit të llogarive të Telekomit, ku mund të provokojë një gjendje që nuk mund t’i dihet epilogu.
I nderuar Kryeministër Hoti,
I nderuar ministër Kuçi,
Zotimi juaj publik se Telekomi si ndërmarrje me interes strategjik do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, si Aksionar i saj, deri më sot vazhdon të mbetet vetëm premtim, ndërkohë që kompania më shumë se kurrë, ka nevojë në mënyrë emergjente për veprime konkrete dhe jo për fjalë e premtime.
Nëse vihet deri te një situatë që s’do ta dëshironim asnjëri nga ne, barra e përgjegjësisë morale dhe legale, bie direkt mbi ju të dy.
Sindikata Profesionale e Telekomit të Kosovës – SPP eshte e përkushtuar që të mbrojë të drejtat e punëtorëve në çdo forme ligjore duke i bërë thirrje Menaxhmentit dhe Bordit të Telekomit të Kosovës që të jenë më këmbëngulës në kërkesat e tyre legjtiime në adresë të Aksionarit.

Të ngjashme